Presidenti Gjorge Ivanov dhe kryeministri Zoran Zaev sot duhet ta mbajnë takimin e dytë për harmonizimin e qëndrimeve rreth përzgjedhjes së guvernatorit të Bankës Popullore të RM-së, i cili duhet të përfundojë në fund të muajit, konfirmuan nga kabineti i kryeministrit.
Takimi është në kërkesë të Zaevit, pasi grupi parlamentar qeveritar u deklarua se nuk e mbështet propozimin që kohë më parë e dha Ivanovi që guvernatori aktual Dimitar Bogov sërish ta kryejë këtë funksion.
“Ky është institucion serioz, unë besoj se rrugës së kohabitimit dhe dialogut të cilin e kemi do të gjejmë zgjidhje. E drejta është absolute e presidentit i cili propozoi, por e drejta është edhe e shumicës parlamentare për të zgjedhur guvernator”, deklaroi të shtunën Zaev duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.
Këtë institucion, shtoi, duhet ta mbajmë profesional. Bisedojmë për zgjidhje të ekspertëve, e jo për zgjidhje partiake, të cilat edhe më tej do ta ruanin stabilitetin politik monetar, sepse edhe për ne si Qeveri kjo është më se e rëndësishme që të mund t’i krijojmë politikat e tjera ekonomike, theksoi Zaev.
Ai thotë se për propozimin e Ivanovit është informuar nga mediat dhe se nuk kanë pasur takim të sërishëm pas atij të mbajtur në muajin mars kur shefi i shtetit i ka thënë se me kë ka biseduar dhe me kë ka pasur për qëllim të bisedojë.
“Atëherë konkluduam se fillimisht duhet ai të bisedojë me guvernatorin aktual Bogov nëse do të pranojë. Nëse pranon Bogov dhe presidenti vendos ta propozojë, do të më kumtonte mua për të biseduar me shumicën parlamentar. Unë për vendimin dëgjova në Kuvend dhe nga mediat. Do të thotë nuk kishim bisedë të dytë, që pas vendimit të tij të bëjmë fazë të përgatitjes, bisedime me shumicën parlamentar. Si për propozimet për Gjykatën Kushtetuese, ashtu ka ndodhur edhe me propozimin për guvernatorin e BPRM-së, jemi informuar nga mediat”, ishte sqarimi i Zaevit.
Paraprakisht kabineti i presidentit kumtoi se Ivanovi sërish e propozon Bogovin për guvernator të BPRM-së, për çka vendosi pas konsultimeve me Lidhjen e Odave Ekonomike, Odën Ekonomike të Maqedonisë , Shoqatën bankare, ASHAM-in dhe me faktorë të tjerë relevantë nga kjo fushë, me këtë rast duke u udhëhequr vetëm nga cilësia dhe profesionalizmi i personit që e propozon.
“Udhëheqja e politikës monetare dhe tërë puna qendrore bankare në shtetin tonë, në vazhdimësi është vlerësuar pozitivisht në raportet e Komisionit Evropian (KE) për avancimin e Maqedonisë. Nga viti 2015 e deri tani, BPRM-ja sipas vlerësimeve të KE-së, shënon avancim të shkëlqyer në realizimin e qëllimeve dhe detyrave të saja, në pajtim edhe me legjislacionin e BE-së. Në këtë kontekst veçanërisht është vlerësuar në rezervat devizore, mbajtjen e kursit fiks devizor të denarit në lidhje me euron dhe shfrytëzimin e operacioneve në tregun e hapur dhe rezervën e obligueshme. Pozitivisht vlerësohet edhe harmonizimi i kornizës ligjore të politikës monetare me legjislativin e BE-së dhe aktivitetet për sigurim, pavarësi funksionale dhe institucionale të bankës qendrore”, kumtoi Kabineti i Presidentit.
Bogov, i cili është guvernator i BPRM-së nga viti 2011, kohë më parë në përgjigje të pyetjes së gazetarëve tha se pret guvernator të ri të zgjidhet në afatin e paraparë dhe me këtë rast të respektohet ligji për BPRM-në. Institucioni, theksoi, nuk guxon të lihet pa njeri të parë, sepse kjo do të kishte implikime negative ndaj ekonomisë së shtetit.
Mandati shtatëvjeçar i guvernatorit aktual skadon më 21 maj të këtij viti,
Në pajtim me Ligjin e BRPM-së, guvernatori zgjidhet në propozim të presidentit, i cili e dorëzon deri në Kuvend dhe votohet në seancë me shumicë të thjeshtë.
Para Bogovit, deri më tani funksionin e guvernatorit të BPRM-së e kanë kryer Borko Stanoevski, Lube Tërpeski dhe Petar Goshev. (MIA)