Me nëntë aparate të reja CTG të dedikuara për ndjekjen e aktivitetit të zemrës së frytit te nëna, eko aparat për anomali të lindura, tre eko aparate gjinekologjike, pajisje për rianimim të shpejtë kardio-respiratore, aparate për zbulimin e bilirubinës nga lëkura dhe për skriningun e dëgjimit te të gjitha foshnjat e sapolindura… u furnizua Spitali special për Gjinekologji dhe Akusheri “Nënë Tereza” – Çair.
Pajisja është siguruar nga projekti HOPE në suaza të projektit “PeriMak”, i inicuar si partneritet për zhvillimin e mbrojtjes shëndetësore të nënave dhe fëmijëve. Një pjesë e aparateve për herë të parë furnizohen në këtë spital dhe me to zhvillohet mbrojtja shëndetësore e të sapolindurve, cilësia e shërbimeve shëndetësore edhe për nënat, ndërsa dukshëm përforcohen edhe kapacitetet e reparteve gjinekologjike.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot e vizitoi spitalin, u falënderua për donacionin të cilin, siç tha, është shumë i rëndësishëm dhe presin ta rrisë kapacitetin e shërbimeve mjekësore, të cilat ofrohen në këtë institucion shëndetësor.
“Kjo është vetëm një pjesë e projektit “PeriMak” i cili edhe më tutje do të përfshijë donacione në Klinikën spitalore Tetovë dhe Spitalin e përgjithshëm në Kumanovë. Punojmë edhe në edukimin. Mjekët tanë janë përfshirë në një on-lajn trajnim për CTG së bashku me Institutin mbretëror për Gjinekologji dhe Akusheri nga Londra. Ministria edhe më tutje mbetet e përkushtuar dhe punon në implementimin e Planit aksionar me të cilin ndërmarrim aktivitete për zvogëlimin e vdekshmërisë te foshnjat”, deklaroi Filipçe.
Duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve tha se mungon kuadër dhe një pjesë e pajisjes dhe për atë kanë bërë plan gjithëpërfshirës. Potencoi se kanë bërë kontroll në të gjitha maternitetet në Republikën e Maqedonisë së bashku me ekipin e ekspertëve të KB-së përmes agjencisë së tyre dhe sqaroi se në bazë të atij plani do të punojnë në punësimin e kuadrove të secilit profil i cili duhet të punojë në një institucion gjinekologjik të akredituar.
“Do të punësohen mjekë të specializuar të gjinekologjisë, anestezisë dhe neonatologjisë. Së bashku me fondacionet të cilat punojnë në fushën e donacioneve së bashku e vlerësojmë nevojën e donacionit përkatësisht furnizimin e pajisjes dhe ashtu bëjmë plan me të cilin do t’i ekipojmë dhe do t’i plotësojmë me pajisje atje ku mungon në të gjitha gjinekologjitë. Në bazë të asaj do t’i akreditojmë sipas standardeve evropiane dhe botërore për gjinekologjitë”, shtoi Filipçe.
Duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve theksoi se janë duke punuar në atë të zvogëlohet përqindja e vdekshmërisë te foshnjat.
Drejtori i Spitalit Special për Gjinekologji dhe Akusheri “Nënë Tereza”-Çair, Bashkim Ismaili shprehu falënderim për donacionin. Potencoi se pajisja tashmë shfrytëzohet dhe zhvillohet cilësia e shërbimeve shëndetësore të cilat i ofrojnë në spital.
“Për momentin kemi 17 gjinekologë, shtatë neonatalogë dhe gjashtë anesteziologë. Nuk janë të mjaftueshëm për nevojat, sepse është rritur intensiteti i punës në spital. Por, në bashkëpunim me ministrin dhe trupin koordinues që e ka formuar mendoj se do të tejkalohet”, tha Ismaili duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Burimi: MIA