Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan arriti sot për vizitë dyditore në Korenë Jugore pas ftesës së presidentit Mun Xhae-in.
Fokusi kryesor i vizitës së Erdoganit është bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve, lajmëron Anadolia.
Në takimin, Erdogan u angazhua për përforcimin e lidhjeve me Korenë Jugore në shumë fusha, nga tregtia deri në bashkëpunimin ushtarak.
Në vitin 2012 Turqia dhe Koreja Jugore nënshkruan marrëveshje për partneritet strategjik, ndërsa gjatë këtij viti nënshkruan marrëveshje për tregti të lirë.
“Dy liderët theksuan se marrëveshja koreanojugore-turke për tregti të lirë paraqet bazë të rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik në interes të përbashkët përmes mundësimit të rritjes së balancuar të tregtisë ndërmjet dy vendeve dhe u morën vesh për implementimin e shpejtë të marrëveshjes në sektorin e veprimtarisë shërbyese dhe sektorit investues”, bëhet e ditur në deklaratën e përbashkët të presidentëve pas takimit.
Vëllimi i tregtisë bilaterale u rrit për 17 për qind ndërmjet vitit 2012 dhe 2017, duke arritur në 6,12 miliardë dollarë amerikanë, tregojnë të dhënat zyrtare të Seulit.
Vizita e Erdoganit vjen vetëm disa ditë pas takimit historik ndërmjet presidentëve të Koresë Veriore dhe Jugore. Me këtë rast, Erdogan e uroi Mun për arritjen e marrëveshjes me Phenianin dhe vlerësoi se bashkëpunimi paqësor do të sjellë paqe dhe zhvillim të gadishullit.
Burimi: MIA