Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shtatë presidentë dhe një kryeministër do jenë mysafirë të presidentit Gjorge Ivanov, i cili është mikpritës i takimit të liderëve të vendeve në Procesin Bërdo-Brioni, që do të mbahet sot në Shkup.
Siç kumtuan nga kabineti i Ivanovit, përgatitjet për takimin, i cili do të mbahet në hotelin Aleksandër Pallas, tashmë po përfundojnë.
Zyrtarisht prezencën e tyre e konfirmuan presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, i Sllovenisë Borut Pahor, i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, i Shqipërisë Ilir Meta, i Kosovës Hashim Thaçi, si dhe kryesuesi i presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq. Si mysafirë specialë të takimit, në Shkup do të udhëtojnë edhe kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Bojko Borisov.
Për shkak të qëndrimit të shefave të shteteve në Shkup është caktuar shkalla e parë e sigurisë edhe atë nga toka në qiell. Helikopterë do të fluturojnë mbi kryeqytet dhe do të ketë edhe regjim të posaçëm të komunikacionit në disa bulevarde.
Takimin e liderëve të vendeve në Procesin Bërdo – Brioni në Shkup, do ta ndjekin gjithsej 156 përfaqësues të akredituar të mediave, 116 nga Maqedonia dhe 40 nga jashtë.
Pas përfundimit të pjesës zyrtare të takimit, presidenti Ivanov për mysafirët e tij do të organizojë darkë në një hotel të Shkupit. Në menynë ka ushqim tradicional të Maqedonisë dhe verëra vendore, ndërsa do t’i argëtojë grupi maqedonas “Bakllava”, me këngët e tyre dhe këngë burimore maqedonase.
Procesi Bërdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativë të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë. Emri i iniciativës është për shkak të idesë së përhapur të presidentëve të dy vendeve, në Bërdo afër Kranjit u mbajt takimi i parë i liderëve të rajonit, ndërsa Brioni, është për nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të iniciativës, Republikës së Kroacisë.
Qëllimi kryesor i Procesit Bërdo-Brioni është integrimi evropian i vendeve të rajonit dhe stabilizimi i gjendjeve në Ballkanin Perëndimor përmes përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Burimi: MIA