Një vit pas ngjarjeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në opinion ende deri në fund nuk është e qartë pse dhe si ka ndodhur dhuna, nëse ka porositës, kush është i involvuar, nëse zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ishte shkaku ose diçka tjetër ka qenë në pyetje…Edhe ashtu demokracia e brishtë në Maqedoni, pas pauzës së gjatë politike, është vendosur ndoshta në testin final. Jo vetëm për politikanët, për pushtetin dhe opozitën aktuale, por edhe për qytetarët.
Si përkujtim dhe paralajmërim, dhe në në kërkim pas së vërtetës dhe drejtësisë, pikërisht sot në Gjykatën Penale do të shihen video xhirime dhe fotografi nga ngjarjet më 27 prill në seancën për tentim për vrasje të deputetit Ziadin Sela, i cili ishte më së shumti i lënduar në këto ngjarje. Për sulmin janë akuzuar dhjetë persona.
Ndihmë mjekësore pas dhunës më 27 prill në Kuvend, sipas raportit të MPB-së kanë kërkuar 70 qytetarë, 22 policë dhe tre deputetë.
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të seancës plenare, kur tani shumica parlamentare e zgjodhi kryetarin e Kuvendit, pas pauzës katërmujore nga ana e VMRO-DPMNE-së. Para ndërtesës së Kuvendit protestë mbanin qytetarë të udhëhequr nga iniciativa e ashtuquajtur qytetare “Për Maqedoninë e përbashkët” të cilët iu kundërshtuan zgjedhjes së Talat Xhaferit nga BDI-ja për kryetar të Kuvendit, por edhe të ashtuquajturës “Platforma e Tiranës”. Protestat e “Për Maqedoni të përbashkët” zgjatën me ditë para ngjarjes, e cila trajtohet si më negative në historinë demokratike të Maqedonisë.
Zgjedhja e Xhaferit filloi pas orës 18 filloi me intonimin e himnit shqiptar nga deputeti i Lëvizjes BESA Zeqirija Ibrahimi. Pastaj filloi zgjedhja. Deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkonin zgjedhje dhe e këndonin himnin e Maqedonisë. Megjithatë, kryetari i Kuvendit është zgjedhur. Pastaj ai, së bashku me mandatarin, tani kryeministër Zoran Zaev dhe me deputetët e LSDM-së dhe BDI-së u nisën në pres qendrën e Kuvendit që të mbajnë konferencë për shtyp.
Në momentet kur Zaev fillon të flasë në konferencë për shtyp, hapen dyert e hyrjes kryesore në Kuvend. Të akuzuar për këtë janë deputetë të VMRO-DPMNE-së, të cilët më vonë janë paraburgosur. Në ndërtesën, si dhe në sallën plenare hyjnë dhunuesit të cilët protestonin para objektit, ndërsa mes tyre edhe një grup personash të maskuar. Policia nuk reagon në mënyrë adekuate, ndërsa personat e maskuar nisen drejt pres-qendrës, ku ka ndodhur dhuna kryesore. Me atë rast u lënduan kryeministri aktual Zoran Zaev, ministrat e tanishëm Oliver Spasovski, Lupço Nikollovski, Damjan Mançevski dhe Maksim Dimitrievski.
Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit deri te Gjykata Themelore Shkupi 1 parashtroi aktakuzë kundër 30 personave lidhur me ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017. Njëzetë e tetë persona akuzohen për vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, ndërsa dy persona janë akuzuar për ndihmesë gjatë kryerjes së veprës penale.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë Publike e kanë rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë e RM-së me akt të dhunës me çka kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët. PPRM vlerëson se të akuzuarit kanë vepruar me qëllimin e njëjtë, duke kryer veprime të ndërlidhura dhe të harmonizuara. Është ndërprerë procedura kundër deputetes Zhaklina Peshevska, e cila po ashtu ishte e dyshuar për sulmin, pasi nuk janë siguruar dëshmi për vepër të kryer penale.
Në aktakuzë, mes të tjerëve janë përfshirë edhe tre persona, pjesëtarë të MPB-së, të cilët kanë qenë bartës të komandës së artë dhe të argjendtë. Në aktakuzë është theksuar se më 27 prill një person përmes thirrjes telefonike në orën 14:30 është njoftuar ta fillojë aksionin dhe së bashku edhe me disa të akuzuar e kanë mobilizuar anëtarësinë nga Shkupi dhe nga qytete të tjera për sulm të dhunshëm në Kuvend, duke ditur paraprakisht se objekti i Kuvendit nuk është i siguruar nga forcat policore.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe persona të tjerë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në grupin tjetër, si organizatorë të lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët”. Në të njëjtën kohë në objektin e Kuvendit njëri prej të akuzuarve ka biseduar me telefon me një nga personat e akuzuar të cilët kanë qenë para derës, me çka konfirmohet koordinimi. Pas komunikimit me telefon, tani pesë deputetët e akuzuar, së bashku me tre zyrtarët e akuzuar nga sigurimi i Kuvendit kanë hapur dy dyer me largimin e shuleve mbrojtëse dhe kanë mundësuar hyrje të personave me maska fantome dhe të qytetarëve të tubuar. Pastaj i kanë orientuar të akuzuarit drejt sallës plenare “Maqedonia” dhe drejt pres-sallës në Kuvend.
Të akuzuarit së bashku me persona të panjohur kanë hyrë në sallën për pres me ç’rast kanë filluar dhunë, duke hedhur sende mbi deputetët dhe gazetarët.
Në qendrën për derisa ka zgjatur dhuna dhe sulmi prej të akuzuarve, një prej personave të akuzuar është nisur drejt deputetit Zoran Zaev e ka nxjerrë pistoletën që e ka bartur me vete, por nuk ka shtënë sepse i dëmtuari është mbrojtur nga sigurimi dhe personat e tjerë të pranishëm. Të akuzuarit, siç shtoi, i kanë shfrytëzuar të gjitha sendet deri te të cilat kanë ardhur që t’u shkaktojnë lëndime deputetëve të dëmtuar dhe gazetarëve, ndërsa kanë vendosur edhe dy mjete të improvizuara shpërthyese në shtëpinë ligjdhënëse.
Siç është theksuar në aktakuzë, dy prej të akuzuarve pjesëtarë të MPB-së të cilët janë të akuzuar për ndihmesë në kryerjen e kësaj vepre kanë marrë dy hard disqe me qëllim që t’i mbulojnë gjurmët nga sulmi i dhunshëm në Kuvend.
Kuvendi, paraprakisht, më 1 dhjetor të vitit të kaluar me shumicë të votave “pro” e pranoi kërkesën për miratimin e paraburgimit për deputetët të VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Luben Arnaudovski dhe Sasho Vasilevski dhe të deputetit të Partisë Socialiste, Lupço Dimovski.
Gjashtë deputetët dyshohen për vepër penale për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë lidhur me sulmin e organizuar në Kuvend.
Për dhunën në Kuvend më 27 prill po zhvillohet procedurë për tentimin për vrasje të Ziadin Selës në Gjykatën Penale po zhvillohet procedurë penale. Edhe sot saktë në përvjetorin e ngjarjeve po mbahet seancë. Për këtë rast janë akuzuar Kire dhe Cejo Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Senkov, Nikolçe Dimtrievski, Aleksandar Janevski – Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavllovski – Kobra. Të akuzuarit për tentim për vrasje të deputetit Ziadin Sela në seancat paraprake u prononcuan të pafajshëm.
Burimi: MIA