Në Gjykatën penale dje u mbajtën vazhdimet e dy gjykimeve, për rastin “Rryshfeti”, në të cilin i akuzuar është kryeministri Zoran zaev dhe për rastin për tentimin për vrasje të deputetit Ziadin Sela, që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Në seancën e djeshme dyorëshe për “Rryshfetin” pa praninë e opinionit u dëgjuan të gjitha bisedat e siguruara me masat e posaçme hetimore dhe u lexuan edhe SMS porositë.
Pas përfundimit të seancës, Zaev tha se as në biseda e as në SMS porositë nuk ka pasur arranzhim të rryshfetit.
“Absolutisht nuk ka asgjë që është e lidhur me përpjekjet që të jem i dyshuar si person i cili ka marrë ryshfet ose ka bërë përpjekje të marrë ryshfet. Në gjithë këto biseda flasim me nëpunës nga Komuna e Strumicës, si dhe me Ivan Nikollovin që të përshpejtohen procedurat, si rrjedhin të gjitha procedurat dhe qëllimi final është që të përfundojë puna të cilën pala e ka para komunës”, theksoi Zaev.
Saktësisht në të gjitha procedurat dhe në të gjitha bisedat telefonike, siç tha, bë[het fjalë vetëm për përfundim të[ lëndëve.
“Është dëshmi se lëndë të caktuara tashmë kanë përfunduar dhe në këtë periudhë askush nuk ka kërkuar para, e as diçka tjetër dhe kjo vetvetiu konfirmon se bëhet fjalë për proces të montuar”, theksoi Zaev.
Seanca e ardhshme gjyqësore për rastin “Ryshfeti” është caktuar për më 30 prill. Zoran Zaev në lëndën “Ryshfeti” akuzohet se si kryetar i komunës së Strumicës nga biznesmeni Saçevaliev ka kërkuar ryshfet prej rreth 160.000 euro për legalizim të një toke ndërtimore.
Seanca e djeshme gjyqësore për sulmin ndaj Selës në të cilën u dëgjuan dëshmitarët, përfundoi me dëshminë e Igor Janakievit si dëshmitar i prokurorisë. Seanca kryesore për këtë rast do të vazhdojë më 18 prill.
Gjatë dëshmisë, Janakiev tha se ka tentuar ta mbrojë Selën nga turma e njerëzve. Theksoi se si i punësuar në sigurimin e MPB-së, më 27 prill ishte para pres-qendrës në Kuvend dhe se së bashku me kolegët kanë tentuar ta parandalojnë turmën të hyjë brenda, por se tentimet e tyre ishon të pasuksesshme.
Para Janakievit, dëshmuan edhe deputeti Muhamed Zeqiri dhe polici Abdylfetah Alimi.
Zeqiri në cilësinë e dëshmitarit e njohu të akuzuarin Aleksandar Janevski-Toshta. Në seancën dëgjimore, Zeqiri theksoi se Sela është goditur me gjësend të fortë dhe se nuk ka mundur të shohë se kush e ka hedhur. Sipas Zeqirit, i akuzuari Janevski i cili atë ditë ka mbajtur jelek të zi dhe syze, e ka tërhequr Selën për dore dhe e ka nxjerrë jashtë sallës së media qendrës.
Gjatë marrjes në pyetje, Zeqiri tha se kur turma ka hyrë në media qendrën në Kuvend, ai ka qenë në njërin prej kabinave për përkthim në galeri dhe se pasi Selën e kanë nxjerrë nga salla e media qendrës, nuk e ka parë më.
Ai e potencoi edhe të akuzuarin Sasho Senkov, për të cilin tha se pasi i pari e ka kapur për dore, i është afruar së bashku me disa persona të tjerë me qëllim që ta nxjerrin jashtë prej media qendrës.
Zeqiri tha se edhe prej kabinës ku ka qenë, ka dëgjuar se si turma e ka kërkuar atë.
Alimi, si dëshmitar i prokurorisë njohu dy nga të akuzuarit – Aleksandar Janevskin – Toshta dhe Kire Georgievskin.
Në këtë rast të akuzuar janë edhe Kire dhe Ceko Gjeorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski-Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Delov dhe Stojan Pavlovski-Kobra. Të akuzuarit për tentim vrasje të deputetit Ziadin Sela në seancat paraprake u prononcuan të pafajshëm. Ata para Gjykatës thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtorë dhe se ata do ta dëshmojnë në procedurën e mëtutjeshme.
Burimi: MIA