Shkruan: Sasho Ordanoski
Për fat të keq, askush në shkencën juridike në Maqedoni – ose së paku unë ( që do të thotë opinioni!) nuk di për atë – nuk merret me studimin e trajtimit të shqiptarëve etnikë nëpër gjyqet e Maqedonisë. Për këtë arsye edhe nuk kemi statistika krahasuese të verifikuara, për shembull, nëse ka dhe sa ekziston dallim në rëndësinë dhe numrin e gjykimeve kur janë në pyetje maqedonas etnikë dhe nacionalitet tjera, si do të dukeshin ato të dhëna në krahasim me përkatësinë etnike të vetë gjykatësve në proceset, cila është mesatarja e ankesave që kalojnë nëpër gjyqet më të larta, sa është kohëzgjatja e atyre proceseve dhe pritja e gjykimeve përfundimtare, a ka dallim në dënimet gjykuese, a ka mospërputhje në praktikat gjyqësore në gjykata të ndryshme në shtet, etj.
Të dhëna të tilla statistikore të krahasimit të sistemit policor ose gjyqësor, dhe praktikat e tyre në kuptim të përkatësisë racore, etnike, gjinore dhe përkatësisë tjetër të qytetarëve të “trajtuar”, zakonisht janë vend i përgjithshëm në demokracitë perëndimore. Nga atje e dimë se, për shembull, ekziston pabarazi alarmante statistike në trajtimin e zezakëve dhe të bardhëve në praktikat policore në SHBA ose për trajtimin e pakicave etnike nëpër sistemin gjyqësor ose të burgjeve në Britaninë e Madhe.
Në bazë të këtyre studimeve, shtetet demokratike janë në gjendje të zbatojnë reforma në politikat e tyre të këqija, t’i avancojnë gjendjet në sektorë të ndryshëm dhe t’i japin drejtim shpenzimit të parave publike, për qëllime të pranueshme dhe të nevojshme publike. Në atë kuptim, në Maqedoni, ne “klimën “ kryesisht e qëllojmë me gisht tregues të lagur të eksponuar në erë, flasim në bazë të përshtypjeve, varësisht nga përcaktimet politike dhe mbi pak përvoja elementare, aty – këtu me ndonjë të dhënë ose me ndonjë hulumtim të shpejtë të zbatuar nga OJQ-të…
E po, pas gjithë kësaj që e thash paraprakisht, më lejoni ta sjell gjykimin tim: unë nuk kam asnjë dyshim – mbi baza të mbresave! – se përkatësit e komuniteteve më të vogla në Maqedoni, e në veçanti shqiptarët etnikë, trajtohen ndryshe nga ato në të cilat janë në pyetje maqedonasit etnikë, edhe atë, në shumicën e rasteve në dëm të tyre, në të gjitha proceset gjyqësore, penale në të cilat përkatësia e tyre etnike ka njëfarë aspekti “politik” në lëndët! Madje, do ti lejoj vetes ta zgjeroj këtë “gjykim” timin, dhe të them se ky trajtim i pabarabartë – në dëm të shqiptarëve! – ka të bëjë me fazat hetimore, prokurore-policore në përgatitjen për ndarjen e drejtësisë në Maqedoni.
Kuptohet se rasti për këtë tekst është drama lidhur me procedimin gjyqësor për vdekjen e Almirit të vogël. Mua më duket se ky është edhe një, nga dhjetëra rastet në njëzet e kusur vitet në të cilat, vetëm për shkak të përkatësisë etnike shqiptare, gjyqësia ka politikë të ndryshme në trajtimin e të akuzuarve, sesa nëse do të behej fjalë për maqedonas etnikë. Dhe, kuptohet, në dëm të shqiptarëve.
Si shtesë, kuptohet se nuk ka mënyrë tjetër të ndikohet mbi gjendjet në gjyqësinë tonë në kontekstin për të cilin flas, përveç me protesta, mundësisht të ashpra, në rrugë, para gjyqeve dhe prokurorive! Dhe për këtë arsye edhe i mbështes protestat – qoftë edhe nga komoditeti i kolltukut të dhomës së ditës – me të cilat kërkohet të kthehet kualifikimi i veprës për të cilën gjykohet vrasësi i Almirit!
Po, këtë madje mund ta quani edhe kërkesë për ndonjë lloj “drejtësie rrugore”, por në mungesë të tjetrës, protestat janë metoda e vetme të ndikohet mbi korridoret e turbullta të arritjes deri te një farë drejtësie në Maqedoni.
Ndërsa, nëse do të ekzistonin hulumtimet dhe studimet për të cilat tregoja në fillim të këtij teksti, jam i sigurte se edhe një numër i madh i maqedonasve të mi dashamirë, do të bindeshin se te trajtimi gjyqësor “politik” – penal i shqiptarëve, gjyqësia maqedonase ka problem serioz. Te ne, ndarja e drejtësisë ka prejardhje etnike.
Aj rest maj kejs!
Kushte për shfrytëzim, të drejta autoriale dhe mbrojtje të privatësisë
Marrja e përmbajtjeve nën kushte të ndryshme nuk është e lejuar, përveç me leje me shkrim nga Civili