Optimizmi i kryeministrit të Maqedonisë për zgjidhjen e emrit deri në korrik dhe deklarata se identiteti nuk është një prej shtatë pikave për të cilat negociohet, nuk mbetën pa u analizuar nga mediat greke. “Bombë nga Zevi” edhe “Zaevi zbuloi se për identitetin nuk negociohet”, janë komentet kryesore në tekstet e gazetarëve në Greqi, pas intervistës së kryeministrit të Maqedonisë për radion austriake ORF, njoftoi korrespondenti i MIA, nga Athina.
“Nëse Greqia, vërtet nuk e ngre çështjen me shtetësinë, atëherë me siguri negociatat kanë ecur para më shumë se sa vlerësohej dhe kanë për qëllim gjetjen e emrit të pranueshëm për të dy palët. Në skenarët që dëgjohen është përcaktim gjeografik, me siguri ‘Maqedonia e Epërme’ “, shkruan “Ta nea”.
Portali informativ “Njuzpost”, komenton se edhe krahas optimizmit nga Zaevi për zgjidhje deri në korrik, megjithatë, nga takimet e Nikos Koxiasit dhe Nikolla Dimitrovit, ende nuk ka dalë tymi i bardhë.
“Duket se ‘Maqedonia e Epërme’ është emri që mbizotëron, por bashkësia shqiptare në IRJ shpreh rezervë lidhur me përdorimin e përcaktimit sllav. Nga MPJ, vazhdojnë të mos i hapin letrat, duke theksuar se bisedat për emrin janë në vijim. Shkurtesat dhe akronimet lidhen me çështjen për Kushtetutën, ndërkaq çështja për përdorim tregtar duke se është një prej atyre çështjeve që janë zgjidhur”, shkruan portali informativ “Njuzpost”, duke i analizuar cilat janë tre pikat për të cilat kryeministri Zaev tha se janë larguar.
Lidhur me kërkesat e Athinës për ndryshimin e Kushtetutës, theksohet se sipas informacioneve të fundit, vlerësimet janë se “Nyja Gordiane mund të pritet me marrëveshje ndërkombëtare, të ratifikuar nga Këshilli i Sigurimit të KB-së, e cila nga momenti kur do të nënshkruhet, në nivel të rendit ligjor ndërkombëtar, e tejkalon fuqinë e rendit kushtetues të çdo vendi”.
Këtë skenar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, tashmë një periudhë të caktuar e përmendin mediat greke, si mundësi për tejkalimin e qëndrimeve të ndryshme të dy vendeve lidhur me ndryshimin eventual të Kushtetutës.
Gazetarët grekë, në tekstet e tyre, posaçërisht i theksojnë takimet e presidentit Gjorge Ivanov në Ankara dhe të kryeministrit Zoran Zaev në Berlin.
Edicioni online i gazetës “Proto tema” komenton se me takimin e paralajmëruar zyrtar Merkel – Zaev, tashmë nuk ekziston dyshim se Berlini është pjesë nga lojtarët e fuqishëm perëndimorë të cilët jo vetëm që dëshirojnë zgjidhje, por edhe bëjnë presion në këtë drejtim.