Dita Botërore e Drejtësisë Sociale në Maqedoni edhe këtë vit na drejton para pyetjes se në çfarë shteti social jetojmë? Përgjigja është e qartë.
Si organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, Civili me dekada i alarmon opinionin dhe institucionet për gjendjet e rënda në sferën e drejtësisë sociale, në të cilën janë mbrojtja sociale dhe të drejtat e punëtorëve. Trajtimi i varfërisë, mospërfshirjen sociale dhe ekonomike dhe papunësia, janë vetëm pjesë e listës së gjatë të sfidave të mëdha me të cilat përballen qytetaret dhe qytetarët e vendit tonë.
Jemi dëshmitarë të shkeljes sistematike dhe të vazhdueshme të të drejtave dhe lirive të njeriut, edhe pas tentimeve që në afat të shkurtë kohor të përmirësohen të drejtat e punëtorëve, të ulet varfëria, të reformohen sindikatat.
Mosfunksionimi i sistemit për çdo ditë shkakton pasoja morbide dhe tragjike për jetët e njerëzve, duke mos i kursyer edhe fëmijët. Korrupsioni gjithëpërfshirës dhe sundimi kriminel po e marrin tatimin e përgjakur për çdo ditë, edhe pse sundimi i shëmtuar i Gruevskit dhe koalicionit të tij e humbën pushtetin para një viti. Reformat e ngadalshme, zgjidhjet kompromise, qasja politikante, por edhe gjendjet e komplikuara objektive dhe proceset në vend, nuk lejojnë të përmirësohet gjendja me (pa) drejtësinë sociale në Maqedoni.
Për keqpërdorimin e çështjeve sociale në kontekst zgjedhor dhe politik, ishim dëshmitarë edhe në zgjedhjet vendore, si vazhdim i një tradite thellë të rrënjosur të shfrytëzimit të kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve me ryshfet dhe presione.
Ndërsa kur bëhet fjalë për mbrojtjen sociale dhe institucionet që duhet të kujdesen dhe t’i mbrojnë të gjithë që janë gjetur në atë pozitë, jemi dëshmitarë, jo vetëm për mos funksionimin e institucioneve, por edhe fshehjen dhe veprimin kriminel. Që shkatërruan jetë të fëmijëve dhe njerëzore.
Hulumtimet dhe analizat të cila Civili i zbatoi në projektin “Drejtësi sociale tani!” dhe “Premtime dhe keqpërdorime”, si dhe artikujt dhe rastet e shumta në të cilat i kemi zbardhur padrejtësitë sociale, tregojnë për faktin se keqpërdorimi i çështjeve sociale në Maqedoni, rrjedh nga robërimi i shtetit dhe manipulimet e paskrupullta politike në luftën për fuqi.
Asgjë nuk mund ta arsyetojë tmerrin nëpër të cilin kalojnë fëmijët në sistemin jonjerëzor të institucioneve të cilat janë të obliguara për kujdesin, rritjen, arsimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Gjetja e fundit e tmerrshme për përdhunimin dhe prostituimin e vogëlushes 12 vjeçe, e kaloi kufirin, thuhet në kumtesën e Civilit për rastin e vogëlushes nën mbrijtjen e “25 Majit” dhe “Ranka Millanoviq”, institucione publike për përkujdesjen e fëmijëve.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 26 nëntor të vitit 2007 vendosi që 20 shkurti të shënohet si ditë kushtuar zhvillimit social, solidaritetit, barazisë dhe harmonisë si vlera themelore në arritjen e drejtësisë sociale, gjegjësisht, “shoqëri për të gjithë”, me mundësi të barabarta për secilin.
Në Maqedoni, ende nuk ekziston mundësi e barabartë për të gjithë fëmijët të jetojnë të përkujdesur, dhe, së paku me mundësi minimale për zhvillim, arsim dhe jetë normale.
Mirëqenia sociale, barazia gjinore, çrrënjosja e varfërisë dhe të drejtat e barabarta që të gjithë, duken si ëndërra të paarritshme në këto kohëra të errëta.
Civili kërkon angazhim pa kompromis për drejtësi sociale, dhe i inkurajon të gjithë qytetarët e Maqedonisë të flasin me guxim dhe lirshëm dhe të na bashkohen në angazhimet pa kompromise për njerëzi, dinjitet dhe solidaritet.