Në Kuvend dje u votuan dy funksione për të cilat u prit për një periudhë të gjatë – Lubomir Joveski u zgjodh Prokuror Publik Shtetëror , ndërsa dr. Venko Filipçe – ministër i ri i Shëndetësisë. Votimi u mbajt pa prezencën e deputetëve nga opozita.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit publik të RM-së filloi verës kur në Parlament më 17-të gusht u shkarkua Marko Zvërleski. Procesi u bllokua për shkak fushatës dhe Zgjedhjeve Lokale, ndërsa ndërkohë këtë funksion e ushtronte, Liljana Spasevska.
Prokurori Publik ka mandat prej gjashtë vjetëve me të drejtë të riemërimit. Gjashtëdhjetë e trevjeçari Joveski në punën e tij të deritanishme ka vepruar në sferën penale. Mbi 15-të vjet ka punuar si gjykatës në lëndët penale, ndërsa një mandat ka udhëhequr me Gjykatën Themelore Shkupi 2. Ka edhe përvojë pune prej mbi 12-të vjet si prokuror publik dhe shtatë vjet në sferën e ekzekutimit të sanksioneve penale. Nga viti 2015 është anëtarë i Këshillit për prokuror publik të RM-së.
Në deklaratën solemne Joveski u obligua se do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe se do të punojë me nder, me ndërgjegje dhe në mënyrë të paanshme. Do të punojë në kthimin e besimit të qytetarëve në Prokurorinë Publike.
“Jemi para një sfide të madhe që ta kthejmë besimin e humbur në punën e Prokurorisë para qytetarëve dhe të profilizohet si institucion profesional i cili do t’i ndjekë autorët e veprave penale. Për këtë shkak do të punoj që Prokuroria ta mbrojë ligjshmërinë dhe të sigurojë sundim të së drejtës në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Joveski.
Deputetët nga shumica qeveritare dje në seancë kuvendore e votuan edhe ministrin e ri të Shëndetësisë Venko Filipçe. LSDM-ja e ndërmori dikasterin e Shëndetësisë pas tërheqjes së Arben Taravarit nga Aleanca për Shqiptarët për shkak kandidimit për kryetar komune të Gostivarit.
Negociatat për njeriun e parë të Shëndetësisë zgjatën më shumë se një muaj. Kryeministri Zoran Zaev solli vendim ministër i Shëndetësisë të jetë nga LSDM-ja që shkaktoi reagim të liderit të Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, i cili insistonte partia e tij ta mbajë resorin duke sjellë në pikëpyetje pjesëmarrjen e mëtejme në koalicionin qeveritar. Por sipas Zaevit, Aleanca paraprakisht e ka fituar këtë dikaster për shkak kandidatit Taravari, ndërsa kësaj here partisë së i re i ofroi vendin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë për reforma.
Pas zgjedhjes së Filipçes në Parlament. Sela dhe bashkpartiaku i tij Suria Rushiti e braktisën seancën kuvendore, Për mediat Sela deklaroi se partia e tij do të mbetet në koalicionin qeveritar deri në miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ministri i ri i Shëndetësisë, dr. Venko Filipçe (Shkup, 1977), ka diplomuar në fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2001, specializimin për neurokirurgji e ka filluar në vitin 2003, ndërsa e ka përfunduar në vitin 2008. Asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup është zgjedhur në vitin 2004, ka magjistruar në vitin 2011 dhe ka doktoruar në vitin 2015. Sivjet është zgjedhur docent në Fakultetin e Mjekësisë. Është kualifikuar në qendrat e neurokirurgjisë në Grac, Beograd, Dejton, Kokumbus, Stamboll, Cyrih. Në vitin 2012 ka mbaruar për fellouship për neurologjinë intervente me çfarë është bërë neurokirurgu i parë në vendet përreth i cili e ka themeluar neurologjinë hibride në Klinikën në Shkup.
Në seancën e 27-të të Kuvendit për ministër pa dikaster të angazhuar për zbatimin e Strategjisë së romëve është zgjedhur Aksel Ahmedovski, i cili vjen në vendin e Samka Ibrahimovski. Njëherit Kuvendi e shkarkoi Vllaste Dimkoviqin nga funksioni zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe në vendin e tij e emëroi Bllage Cvetkoviqin. Zëvendësministër i Arsimit u zgjodh, Arbër Ademi.
Në seancë janë konstatuar dorëheqjet e kryetarit të KSHZ-së Aleksandar Çiçakovski, nënkryetarit të KSHZ-së, Rexhep Prekopuca, si dhe e anëtarëve të KSHZ-së, Atanas Urumov, Igor Milev, Subhi Jakupi, Violeta Duma, Sasho Sërcev dhe Silvana Boneva. Atyre, siç theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u ndërpritet funksioni dhe angazhimi në KSHZ me kërkesë personale, para skadimit të mandatit.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.