Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]N[/dropcap]gadalë po zbardhet thelbi i politikës së VMRO-DPMNE ndaj Maqedonisë: kriminelët e dyshuar dhe të akuzuar nga ajo parti do të lirohen ( që mos të ketë “revanshizëm”); e nëse jo, partia e Familjes do t’i bllokojë udhëkryqet dhe do t’i bojkotojë të gjitha institucionet e rëndësishme për vendimmarrje për ardhmërinë e Maqedonisë ( buxheti, reformat, integrimet euro-atlantike, etj.) në nivel qendror ( Kuvendi i Maqedonisë) dhe në nivel komunal ( këshilla për komunat). Në këtë ose atë zgjedhje, ata, si në ndonjë koncesion ndaj Maqedonisë, propozojnë ligj për amnisti personale!
Interesante, partia vendos për bojkotim politik dhe bllokim të shtetit juridik dhe shtetit, në përgjithësi – por, nuk i fton anëtarët e vet, për shembull, në shenjë proteste, t’i braktisin institucionet shtetërore në të cilat qindra funksionarë të tyre ende janë të punësuar rehatshëm.
Me këtë vazhdon politika e VMRO-DPMNE të mbahet Maqedonia vazhdueshëm si peng i interesave të Familjes kriminele, gjë që e praktikonin shumë vite para se të zbresin nga pushteti. E gjithë partia u shndërrua në shoqatë kriminele, një lloj terroristi kolektiv partiak me të gjitha karakteristikat për këto krime: mbajnë pengje (qytetarët e Maqedonisë), në mënyrë të hapur i kërcënohen rendit publik, kërkojnë “blerje” (amnisti!) që të na lirojnë nga robëria e tyre. I kërkojnë pasaportat, që ta braktisin vendin e krimit. Mendoj se së shpejti, përmes negociatorit Horhe, do të kërkojnë helikopter që do t’i transportojë deri te aeroporti “Kiro Gligorov”, që nga atje me aeroplan të atij biznesmenit rus të fluturojnë në drejtim të panjohur në lindje.
Për karakterin në rritje të VMRO-DPMNE shumica paralajmëronin edhe para kësaj situate. Numri i funksionarëve të pandehur dhe të paraburguar të kësaj partie, nga nivele të ndryshme të strukturave të saj nacionale dhe lokale, vazhdimisht rritet. Edhe ata, edhe ne, edhe të gjithë e kemi të qartë se kjo tendencë do të vazhdojë, pa u vlerësuar saktë se sa qindra dhe mijëra udhëheqës të VMRO-DPMNE do të dyshohen dhe përndiqen për vepra ty ndryshme penale, kryesisht të rënda, të gjitha të parapara me ligjet në shtetin e Maqedonisë.
Siç ecin punët, akuzat penale për “terrorizëm” rrezikohen të prekualifikohen në “gjenocid” kundër popullit të vet.
Ky kushtëzim me “dramë pengjesh” nuk duket i pakuptimtë ose pa logjikë nga aspekti politik. Njerëzit me vite u mbytën duke vjedhur dhe duke kryer keqpërdorime të ndryshme, pa fare pasoja, dhe tani kur shteti ligjor fillon të funksionojë, funksionarët e tij, pasi që dështoi tentimi real për puç, duan të zbatojnë “puç” me mjete politike, që ta mbysin shtetin me “jastëkun” e bojkotimit të tyre, që të shpëtojnë nga përndjekja penale-ligjore. Them, e kuptueshme.
Përgjigja për këtë duhet të jetë e durueshme, demokratike, sipas parimeve dhe rregullave të shtetit ligjor: TË GJITHË TË PANDEHURIT TË ARRESTOHEN! T’u mundësohet gjykim i drejtë, me kusht që kjo me të vërtetë ta prolongojë integrimin tonë euro-atlantik dhe reformat që do të nënkuptojnë jetë më të mirë për qytetarët në Maqedoni.
Ndoshta jam i vetmi në shtet me këtë mendim, por unë do ta kisha prolonguar perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë për llogari të vendosjes së shtetit ligjor. Në fakt, mendoj se kjo është dilemë e rrejshme: nuk ka euro -integrim PA shtet ligjor.
Në këtë kuptim, propozimi im për kryetar të ri të VMRO-DPMNE është që ai të jetë drejtori i burgut në Idrizovë. Në atë funksion, atë mund ta zgjedhin me mandat të përjetshëm.