Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]P[/dropcap]olitika e Maqedonisë pas zgjedhjeve vendore ka pranuar një shpejtësi aq të madhe, sa që mund të alivanoseni nga forcat centrifugale të asaj shpejtësie! Lëvizja e kryeministrit mund të përcillet vetëm me ndihmën e sinjaleve satelitore, sepse as nga kabineti i tij më duket se nuk e kanë të qartë se ku gjendet saktësisht: në Bruksel, në Lublanë, në Shkup, në Beograd ose në Strumicë, nëse nuk ka shkuar në Tiranë, via ndonjë studioje të Shkupit në të cilën jep intervistë, pas seancës maratonike në Qeveri, e para se të paraqitet në seancë gjyqësore. Javën e kaluar e takova në dy promovime të librave.
Nga ana tjetër, në opinion vlon nga debate, nëpër rrjete sociale, nëpër portale, nëpër salla hotelesh, si asnjëherë deri tani. Debatet janë të ashpra, fluturojnë kumtesa dhe kundër-kumtesa nga të gjitha anët, ndërsa, nëse dëshironi të bëni një depërtim elementar në qëndrimet për temat aktuale, duhet të lexoni në bazë ditore nga dhjetë kolumna dhe njëqind fejsbuk statuse, që të jeni në rrjedha.
Për shembull, ai që tani do të kujtohet të bëjë një kanal të specializuar për raste gjyqësore, reforma ligjore, afera policore dhe hetime prokurorie, mund të llogarisë në shikueshmëri serioze dhe të ardhura të mira nga reklamat!
Që të anashkalohet marramendja informative-politike, preferohet të merret nga një dramamin dhe një dozë më e vogël e diazepamit në mëngjes, të prera me nga dy “të verdha” në drekë, që në mbrëmje të mund të shtriheni deri në mesnatë, pasi t’i keni shikuar të gjitha vetëm të vërtetat, top-temat, 360 -she dhe analiza dhe 24 analiza, dubioza dhe sinteza. Në mëngjes, unë u përzihem në kafenë!
Maqedonia u shndërrua në vend me numrin më të madh të debateve për reforma për kokë banori në Evropë! Çfarë kërkuam – atë e gjetëm: të gjithë diskutojnë, debatojnë, polemizojnë, shkruajnë dhe flasin kush më tepër se tjetri! A mban dikush procesverbal për Zotin!
Kuptohet se e gjithë puna fillon t’i ngjajë një kakofonie të përgjithshme në të cilën harrohet se kush për çfarë është angazhuar, në cilën kohë në anën e kujt ka qëndruar, si dhe për cilin ka votuar ose mallkuar. Tani të gjithë janë reformatorë të përbetuar.
Pra, si kampionë botërorë të shahut, luajmë lojë simultane në pesë gjashtë tabela njëkohësisht – shihni vetëm temat: negociata për emrin; Ligji për gjuhët, reforma në DSK, KOM, KOB, KOS; ligje të reja për media dhe për arsim; reforma tatimi, miratim i buxhetit të ri, rrënimi i përmendoreve…Thjeshtë habitem se si deri tani askush nuk u kujtua ta aktivojë debatin për programin universal të Maqedonisë, që ka ngecur në sirtarët e pushtetit të kaluar?! Kjo, dhe të lëshonim edhe një përmbledhje të valleve dhe këngëve popullore, në gjuhë maqedonase dhe shqipe, dhe të lirohemi.
Këtu është pika ku fillon të më gërryejë skepsa: vallë kemi, ne, si elitë politike dhe si opinion i përgjithshëm profesionist, si shoqëri, kapacitet të mjaftueshëm individual që do të shndërrohej në një masë kolektive kritike, që nga e gjithë kjo rrëmujë prej njëqind tema dhe me dyqind kilometra në orë të dalim me zgjidhje cilësore të diskutimeve për reforma. Në tërë euforinë e debatit sikur harruam se diçka nga kjo duhet edhe të zbatohet…