Natën e 12 nëntorit, pasi u bë e qartë se edhe pas rivotimit të dytë për kryetar të Çairit në një vendvotim nuk do të ndryshojë rezultati i parë, pra se fitues në garën mes kandidatëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lëvizjes “Besa” mbetet ai i pari, pra Visar Ganiu i BDI-së, publikisht u shpreha se më pëlqen se si përfundoi kjo histori. Tani dua të tregoj edhe pse u kënaqa nga një rezultat i këtillë.
Nuk është se më pëlqeu për shkak se fitoi ai që fitoi – për këtë Visarin thonë se është djalë i mirë, por unë nuk e njoh dhe s’kam kush e di se çfarë pritjesh prej tij. Kjo për shkak se, sipas të gjitha gjasave dhe sipas asaj që flitet me të madhe vitet e fundit, edhe deri tani këtë komunë e kanë drejtuar më shumë do “struktura”, sesa kryetari i komunës. Madje as udhëheqësia partiake nuk është ajo që i krijonte politikat lokale në Çair – të paktën kështu flitet, edhe atë shumë bile.
Gjithashtu, nuk është se më pëlqeu pse humbi ai që humbi – Zeqirija Ibrahimin pak e njoh dhe jam i bindur se është djalë i mirë. Ka bërë një gabim, por është i ri dhe shpresoj se do ta ndreqë.
Tash, mund të pyesni, pse pra, më paska pëlqyer rezultati i tillë, nëse kjo s’ka qenë as për shkak se njëri kandidat fitoi, e as për shkak se tjetri humbi? Ja pse: Më pëlqeu që nuk fitoi e ashtuquajtura “Besa”. Pse më pëlqeu se humbi кjo parti? Për shkak se mund ta imagjinoj në çka do të shndërrohej Çairi sikur ajo të fitonte! Larg asaj se tash është ndonjë lule për t’i marrë erë, por e marr me mend nga do të shkonte sikur të binte në duart e kësaj lëvizjeje.