Shtatë nga të akuzuarit për ngjarjet në Lagjen e Trimave më 9 dhe 10 maj, viti 2015, u dënuan me burgim të përjetshëm, 13 u dënuan me 40 vjet burgim, gjashtë me nga 20 vjet, një i akuzuar me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe dy me nga 12 vjet, njofton META.
Ky është aktgjykimi për 33 të akuzuarit e rastit “Lagja e Trimave” që sot e shpalli gjykatësja Verka Petkovska. Katër nga gjithsej 37 të akuzuarit u liruan.
Seanca e sotme u zhvillua në atmosferë tensionuese, nën numër të madh të sigurisë policore, brenda dhe jashtë godinës së Gjykatës në Shkup.
Para se të shpallet aktgjykimi, të akuzuarit u ngritën nga vendet e tyre dhe filluan të këndojnë himnin shqiptar, të brohorisin “UÇK” dhe të kërcënohen me hakmarrje për gjakun e të vrarëve dhe se në Maqedoni nuk do të jetë qetë.
Gjykatësja shumicën e të akuzuarve që krijonin rrëmujë i largoi nga salla e gjyqit, që më pas të shpall aktgjykimin.
Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka kërkuar dënim të përjetshëm për të gjithë 37 të akuzuarit për terrorizëm dhe organizim terrorist, përderisa avokatët e të akuzuarve, kanë kërkuar aktgjykim lirues pasi që, sipas tyre, ka mungesë të argumenteve për kryerje të veprës penale.
Avokati Naser Raufi, mbrojtës i një pjese të të akuzuarve, pas përfundimit të seancën, tha se ata si mbrojtje nuk kanë pritur dënime korrekte, por nuk kanë pritur as dënime drakoniane.
“Prokuroria ende nuk është e reformuar. Me hetim ndërkombëtarë, do të shpalosim që këto njerëz këtu janë sjellë për interesa të huaj. Gjithë mbrojtësit do të paraqesin ankesë mbi aktgjykimin për të akuzuarit. Kemi dëshmi me të cilat do të dëshmohet se seanca e sotme ishte e montuar”, tha Raufi.
Përndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme më 20 shtator deklaroi se Qeveria do të kërkon plotësisht – hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Lagjen e Trimave që të mësohet e vërteta për këtë ngjarje.
“Për ngjarjet e Kumanovës, do të tregoj dy gjëra. E para është se ky rast ka marr epilog gjyqësor, megjithatë, ne si Qeveri, kemi marr për obligim që do të bëjmë hetim plotësues edhe atë hetim ndërkombëtar, që opinioni në formë të duhur të mësoj të vërtetën për këtë ngjarje dhe për atë se çfarë ka ndodhur në ngjarjet e Kumanovës dhe në përputhshmëri me atë hetim, të zhvillohet procedura të cilës do t’i besojnë shumica e qytetareve të Republikës së Maqedonisë”, kishte deklaruar atëkohë Spasovski.
Në ngjarjet e Kumanovës më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, ku grup i armatosur u ballafaqua me forcat mbrojtëse të Maqedonisë, humbën jetën tetë anëtarë të forcave mbrojtëse, ndërsa rreth 40 ishin të lënduar. I gjithë rasti ndjekej nga kontraversione ku ende nuk mund të sqarohen.
Procesi Gjyqësor për rastin “Lagja e Trimave” filloj më 9 shkurt të vitit kaluar.
Burim: META
Përmbajtjet të cilat CIVIL i merr nga burime të tjera nuk nënshtrohen në licencën Creative Commons 1.0, përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.