Kategoritë

KOSOVË Ditë me diell në Kosovë, ca parregullsi zgjedhore, do serb të kapur me bomba në kufi…

shkruan: Ilir Ajdini

Meteorologët në Kosovë paralajmëruan se prej nesër, e hënë, 23 tetor, do të kemi rënie të temperaturave dhe reshje shiu, kurse mediumet i këshilluan kosovarët që të dalin ta shfrytëzojnë këtë ditë, e cila, me gjasë, do të jetë e fundit sivjet me diell dhe mot të ngrohtë. Politikanët, ndlrkaq, i porositën që të dalin për të shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e lokale (të tretat nga  viti 2008 dhe shpallja e Kosovës shtet i pavarur) dhe, kuptohet, të bëjnë “zgjedhjen e duhur”.

Dhe, marrë në përgjithësi, ishte kjo një ditë e bukur vjeshtore . Rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve tjera ishin të qeta, si zakonisht të dielave nëpër Kosovë, ndërsa pak më shumë lëvizje pati rreth vendvotimeve. Madje, nëpër qendrën e kryeqytetit më shumë se “kalimtarë rasti” dhe “qytetare dhe qytetarë të rëndomtë”, mund të shihje ekipe gazetarësh – natyrisht lehtë të identifikueshëm jo vetëm për bexhet me shenjën “press”, por edhe me kamerat televizive dhe foto-aparatet.

Se procesi zgjedhor u zhvillua qetë dhe se s’pati shkelje serioze, konfirmojnë edhe institucionet kompetente – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, policia, prokuroria…, por edhe ambasadat e shteteve të huaja dhe misionet ndërkombëtare, vëzhguesit e pavarur, sektori joqeveritar. I tillë është qëndrimi edhe i vetë pjesëmarrësve në zgjedhje, të cilët kanë ca vërejtje, por, duke pasur parasysh përvojat e këtyre hapësirave, mund të thuhet se s’kemi të bëjmë me ndonjë problem fort serioz. Pati parti që u ankua për ndonjë votim të dikujt në emër të dikujt tjetër ose të ndonjë anëtari të ndjerë të familjes, një ankesë për “tren bullgar” në Mitrovicë, nja dy zënka jo aq të rrezikshme fizike në vendvotime (një nga të sulmuarit doli në tv me një gërvimë në ballë), do akuza për shkelje të heshtjes zgjedhore, rreth pesëdhjetë ankesa të qytetarëve që s’e kanë gjetur veten në listat e votuesve dhe, lart-poshtë, aq.

Ajo që shkaktoi pak më shumë interesim dhe jehoi si diçka më sensacionale ishte ndalimi i një autobusi me udhëtarë autobusi me udhëtarë nga Serbia në vendkalimin kufitar Jarinë, mes Serbisë dhe Kosovës, ku u gjetën disa mjete eksplozive. Kurse kjo, disi, u lidh me zgjedhjet. Në fakt, në autobusin me targa të Kragujevcit të Serbisë, me 57 udhëtarë, policia kosovare gjeti dy granata dore me gjithë detonatorë. Pas kësaj, u privuan nga liria tre udhëtarë serbë, me qëllim të zbardhjes së rrethanave, motiveve, qëllimeve…

Dyshimet se incidenti është i lidhur me zgjedhjet ushqehen nga interesimi qartë i shprehur i Beogradit për rezultatin e këtyre zgjedhjeve lokale në Kosovë, që disi në mënyrë eksplicite pasqyrohet në apelin e drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën të Qeverisë serbe, Marko Gjuriq, drejtuar serbëve të Kosovës që të dalin masivisht në votime për t’u dhënë mbështetje “komunave serbe” në Kosovë.. Kjo, sipas Gjuriqit, është e nevojshme për të forcuar pozitën e komunave serbe brenda Kosovës dhe lidhjeve të tyre me “qendrën amë-Beogradin”. Veç kësaj, Beogradi ka edhe favoritin e vet për zgjedhjet, e ky është “Lista Serbe”, që është pjesë e Qeverisë së Kosovës, por… pak e komplikuar, a po? Megjithatë, asgjë e çuditshme për Ballkanin, ku bëjnë pjesë edhe Prishtina, Beogradi… etj.

Për fund dhe një kuriozitet: Në Vushtrri votën e vet për pushtetin e ardhshëm lokal e dha edhe një gjyshe në moshën 103-vjeçare. S’tregoi se ç’pret nga ky pushtet i ri lokal, or me rëndësi obligimin e vet qytetar e plotësoi.

P.s. informata e fundit nga koha kur u shkrua ky raport (e diel, ora 20:30): Sipas KQZ-së, dalja është diku rreth 45 për qind nga votuesit e regjistruar, disa parti shpallën fitore në ndonjë komunë, të tjerat shpallën epërsi në disa komuna, ndërsa në balotazh do të shkohet në Prishtinë. Në kryeqytet, si vendi më atraktiv për t’u fituar, kryetari i deritashëm, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes pati epërsi në rrethin e parë të votimit para Arban Abrashit të Lidhjes Demokratike tl Kosovës.