Hapi i ri reklamues i kushtuar shqiptarëve etnikë, nga partia më ”patriotike” e cila gjatë gjithë kohës i frikëson qytetare(ë)t me federalizim dhe kantonizim, deri sa një pjesë e simpatizuesve dhe mbështetësve të saj premtojnë se nëse duhet “ edhe gjak do të japin, por gjuhën, kombin dhe emrin, nuk e japin”, është tepër hipokrit…
Këto ditë mund të shihen edhe TV reklama të opozitares VMRO-DPMNE, në gjuhë shqpie, me përkthim të parullës partiake zgjedhore dhe numrin për votim 13 – “Gjithnjë punë, gjithnjë Maqedoni”…
Edhe pse zëdhënësi partiak Ivo Kotevski tha se nuk i ndajnë votuesit në Shqiptarë dhe Maqedonas, në frymën e bashkëjetesës dh bashkimit pa ndarje, do ti përkthejmë në gjuhë shqipe edhe klithjet e një pjese të mbështetësve partiakë të cilët marshuan palodhshëm nëpër Shkup dhe në disa qytete tjera në vend, deri në hyrjen në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill, kur përveç deputetëve të LSDM, u rrah dhe u përgjak deri në pavetëdije deputeti Ziadin Sela…mes klithjeve për “ bashkëjetesë” ishin edhe “Maqedonia e pastër, e pastër, e pastër!” ose “Le të kuptojnë Shqiptarët e mallkuar!”.
Katër ditë kandidatët për ulësen e kryetarit të komunës anembanë Maqedonisë, ndajnë premtime megalomane nga xhepi dhe valëzojnë me shkop magjik.
Kandidati për kryetar komune Isuf Bislimi nga BDI, theksoi se me “fitoren më 15 tetor, Haraçina do të del nga grupi i komunave të varfra”. Pyetja është: sa para ka organizata themelore e BDI në Haraçinë, ose paratë do të vijnë nga qendra në Reçicë të Vogël. Për dallim nga Bislimi, kundër-kandidatja e tij, Melekie Halimi, lëvdohet me milionë euro, të premtuara nga LSDM, për ndërtimin dhe përmirësimin e kanalizimit dhe ujësjellësit në komunën e Haraçinës. Edhe atë me shumë konkrete, 6 milionë euro!
Se dashuria dhe bashkëpunimi mes BDI dhe LSDM po rritet, tregon edhe ajo se dje Ali Ahmeti nga tubimi partiak në Gazi Babë u bëri thirrje mbështetësve të partisë së tij ta votojnë Petre Shilegovin kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit nga radhët e LSDM. Ndërsa Aleksandar Kiracovski nga LSDM, për kryetar të Dibrës, e mbështeti kandidatin e BDI, Ruzhdi Lata. Ai theksoi se LSDM në Dibër ka listë të shkëlqyer për këshilltarë, të udhëhequr nga Azem Fejzoski, e cila premton shumë projekte në këtë komunë multietnike dhe multifetare.
Derisa në komunat me popullsi kryesisht shqiptare zhvillohet fushatë e zjarrtë zgjedhore, në Strugë, në frymën e unitetit etnik, kandidati i PDSH, Mendi Asani u tërhoq nga gara për ulësen e kryetarit “që të mos copëtohen votat e votuesve shqiptarë në komunë”.
Dita e katërt nga fushata zgjedhore, ndërsa nga Besa nuk bëzajnë për Nafie Selmanin, propozimin e tyre për kryetar të Qytetit të Shkupit, ndërsa lideri Bilall Kasami, kandidati për komunën e Tetovës, dhe Zeqirija Ibrahimi për Komunën e Çairit, e “çanë” me konferenca për shtyp.
Kandidati për kryetar i komunës Aerodrom, Ivica Konevski, paralajmëroi se nëse fiton për herë të tretë, do të ndërtojë qendër ditore për fëmijët me pengesa në zhvillim. “Nëse e fitojmë besimin nga qytetarët, qendrën ditore do ta ndërtojmë në mot, për të cilën do të sigurojmë 3 milionë denarë nga buxheti i Komunës”, tha Konevski. Sipas përvojës së deritanishme të aerodromasve, më e sigurte është se nëse fiton, do të ndërtojë edhe një kishë të vogël dhe do ti afrojë fëmijët me pengesa më afër Zotit, dhe do ta “lajë” edhe ndërgjegjen që nuk u kujtua për fëmijët gjatë sundimit të tij prej tetë vite.
Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Viktor Orban dhe presidentin e SDP të Sllovenisë, Janez Jansha, deklaroi: “Atmosfera në të cilën zhvillohen këto zgjedhje është jashtëzakonisht e keqe dhe e pakëndshme. U bë dita e katërt, e pas nesh ka incidente të shumta, parregullsi, keqpërdorime, për fat të keq edhe të shtëna dhe njerëz të plagosur, dhe me të vërtetë, kjo është shumë shqetësuese në kuptim të mbajtjes së zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”:
Këta nga SDS( sipas VMRO -DPMNE-M), nuk dinë të organizojnë zgjedhje “skandinave”, siç i zbatonte në të kaluarën partia e Gruevskit, me sukses. Shembull për mbajtje të suksesshme të zgjedhjeve janë “votuesit” nga Pusteci dhe “tërheqja e maxhup pas maxhupi për veshë”…
Dje në Strugë, Gruevski bëri thirrje “me laps në dorë dhe me kokë të ngritur lartë” të fitohet LSDM. Tani pritet LSDM t’ia rrënojë të drejtat autoriale, se pak më herët, Zaevi bënte thirrje me laps, ndërsa në LSDM edhe para Zaevit, këndonin për “kokën lartë”!
Megjithatë të mos mbetet se Maqedonia përmendet vetëm për punë të këqija, ja, sipas CNN, Maqedonia është seli botërore! Në lajmet e rrejshme..
Dehran Muratov