Demantet e Qeverisë se emigrantët nuk do të vendosen në Maqedoni, as se do të ndërtohen banesa të reja për ta, nuk ua ndryshuan mendjen këshillave të disa komunave për sjelljen e vendimit për mbajtje të referendumeve për çështjen e vendosjes së emigrantëve, edhe atë në ditën e njëjtë me zgjedhjet lokale.
Më tepër se një vit nga mbarimi i fluksit të emigrantëve, Maqedonisë po i ndodh valë referendumesh kundër vendosjes së emigrantëve në shtet, ndërsa atmosfera në seancat e këshillave të komunave anembanë vendit, po ndizet më tepër. Në seancën e Këshillit të Komunës Aerodrom, për pak do të ndodhte incident, ku një këshilltar nga radhët e TMRO sulmoi një këshilltar të komunës, nga radhët e LSDM.
Atmosfera e tensionuar vërehej edhe gjatë mbledhjes së nënshkrimeve nga iniciativa “Zgjimi” (“Budenje”) nga qytetarët anembanë vendit. Në komunën Aerodrom u sulmua ekipi i NOVA TV, nga një anëtar i iniciativës. Civili e dënoi ashpër sulmin mbi ekipet e gazetarëve.
Kryeministri Zoran Zaev thotë se do ti mbështesin referendumet që ta tregojnë absurditetin e fushatës opozitare, dhe se, nëse ka referendume, edhe ai do të votojë kundër.
Gjevgjeli, Shtip, Kavadar, Manastir, Prilep, Koçanë, Negotinë, si dhe komunat e Shkupit – Gazi Babë, Karposh dhe Aerodrom, veç më kanë sjellë vendime për zbatimin e referendumit kundër ndërtimit të kampeve për emigrantë, në ditën e njëjtë me zgjedhjet vendore, të cilat janë të caktuara për 15 tetor.
Rreth çështjes për ligjshmërinë e mbajtjes së referendumeve bashkë me zgjedhjet lokale, mendimet e analistëve janë të ndryshme, mirëpo ajo rreth të cilës të gjithë pajtohen, është fakti se qëllimi i këtyre referendumeve është të shkaktohet reagim i madh emocional te qytetarët, që të fshihen mangësitë dhe mungesa e ofertës reale për votuesit.
“Mes rreshtave, mund të vërehet prapavija e këtyre iniciativave për referendume lokale, drejtimet dhe përcaktimet e tyre, për mbajtje të referendumeve në ditën e njëjtë me zgjedhjet lokale, pa dyshim se bëhet fjalë për prapavijë politike, politike në kuptim të arritjes së qëllimeve të caktuara të cilat janë në kundërshtim me politikën e përgjithshme shtetërore”, deklaroi për CIVIL Media, Osman Kadriu.
Kadriu shtoi se nëse mund të vërtetohet një prapavijë e tillë, organet përkatëse shtetërore për zbatimin e zgjedhjeve dhe ligjshmërisë së tyre, duhet të reagojnë “ edhe atë jo vetëm me udhëzime konkrete, por edhe sipas mendimit të tyre të sjellin vendime konkrete”, duke i bërë thirrje Komisionit Shtetëror Zgjedhor të reagojë dhe të sjell vendim që do të jetë në përputhje me përcaktimet ligjore.
Në pyetjen nëse ekzistojnë pengesa konkrete ligjore për mbajtjen e referendumeve në kohë të njëjtë me zgjedhjet vendore, Kadriu u përgjigj: “Kur bëhet fjalë për aktivitete të këtij lloji, kemi dy situata, nga njëra anë zgjedhjet vendore, që janë aktivitet i rëndësishëm politik, ndërsa nga ana tjetër kemi paralajmërim për referendume në nivel lokal. Unë mendoj se nuk duhet të lejohet që referendumi të mbahet në ditën e njëjtë me zgjedhjet vendore. Në mënyrë teknike, kjo nuk mund të arrihet. Në këtë rast, duke e pasur parasysh faktin se kemi organ të posaçëm shtetëror i cili duhet të kujdeset për ligjshmërinë e zgjedhjeve dhe të sigurojë zbatimin ligjor të zgjedhjeve, e ky është Komisioni Shtetëror Zgjedhor, komisioni është kompetent dhe duhet të reagojë për këtë çështje. Jam i bindur se kjo është e papajtueshme nga aspekti i rregullimit ligjor të zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore, siç janë në rastin tonë zgjedhjet vendore”
Sipas avokates Sandra Gavrillovska, anëtare e bordit të ekspertëve të Civilit, “Nuk ekziston pengesë juridike, gjegjësisht ligjore, për mbajtjen e referendumit në ditën e zgjedhjeve vendore”.
Gavrillovska thotë se vetë intenca e vendimeve për mbajtjen e referendumeve në këto komuna, kundër ndërtimit të vendbanimeve për emigrantët ( që është temë e trilluar për referendum), është tinëzare, edhe atë në ditën e zgjedhjeve lokale.
“Qëllimi i fshehur i këtyre vendimeve të pushtetit lokal ( në largim), për mbajtjen në të njëjtën kohë të referendumit dhe zgjedhjeve lokale, është të sigurohet suksesi i referendumit, përmes jehonës, gjegjësisht, dalja e qytetarëve për zgjedhjet lokale”, thotë Gavrillovska.
Sipas saj, mbajtja e referendumit dhe e zgjedhjeve lokale, pa dyshim se len hapësirë për manipulime, në veçanti në kuptim të – shfrytëzimit të mjeteve të buxheteve të komunës – me ligj të ndaluara, deri në mbarimin e zgjedhjeve ( duke i përfshirë edhe lokalet).
Qytetarët nuk guxojnë të lejojnë të manipulohen në kuptim të të drejtës tyre për votim, ndërsa për shpenzimin eventual të parave të buxhetit nga arkat komunale, me siguri se dikush do të duhet të përgjigjet”, thotë Gavrillovska.
Profesori Svetomir Shkariq, në deklaratën e tij për CIVIL Media, thotë se nuk ekziston pengesë e drejtpërdrejtë ose ndalesë e parashikuar me ligj për mbajtjen e referendumit në ditë të njëjtë me zgjedhjet lokale, sepse një praktikë e këtillë deri tani nuk ka ndodhur. Ai theksoi se mund të paraqitet problem në lidhje me zbatimin e referendumit nga ana e Komisionit Komunal Zgjedhor.
“Komisioni Komunal Zgjedhor është i autorizuar me Kodin Zgjedhor, të zbatojë zgjedhje lokale. Komisioni Shtetëror Zgjedhor e vendos Komisionin Komunal Zgjedhor, i cili vendos trupa zgjedhor, që do të thotë se organet për zbatimin e referendumit do të jenë nën kompetenca të KSHZ, me çfarë parashtrohet pyetja nëse është e lejuar që një komision komunal të cilin e ka formuar KSHZ për zgjedhje lokale, njëkohësisht të pranojë detyra plotësuese”, thotë profesori Shkariq.
CIVIL Media disa herë tentoi ta kontaktojë Komisionin Shtetëror Zgjedhor, që të deklarohetnpër këtë çështje, por deri në këtë koment nuk kemi pranuar përgjigje.
Profesoresha Mirjana Najçevska ka qëndrim të ndryshëm. Ajo thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe e referendumeve, nuk guxon të bëhet në një ditë.
Sipas nenit 65 nga Ligji për referendum, mjetet për zbatimin e referendumit në nivel lokal sigurohet nga buxheti i komunës, qytetit të Shkupit , dhe komunave në qytetin e Shkupit. Ky nen është në kundërshtim me nenin 8-a, paragrafi 1, alineja 1: Nga dita e sjelljes së vendimit për shpallje të zgjedhjeve deri në mbarim të zgjedhjeve (presidenciale, parlamentare ose vendore), nuk mund të shfrytëzohen mjetet buxhetore të Republikës së Maqedonisë, mjete të buxheteve të komunave dhe qytetit të Shkupit, nga fondet publike dhe mjetet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike ose personave juridikë të cilët e kanë në dispozicion kapitalin shtetëror. Gjë që në përkthim do të thotë se komuna nuk mund të mbajë/paguajë referendum deri në mbarim të zgjedhjeve.
Në atë drejtim janë edhe mendimet e Kadriut. ”Kodi Zgjedhor është mjaftë i qartë kur bëhet fjalë për aktivitetet që nuk guxojnë të bëhen në periudha të caktuara kohore para fushatës zgjedhore dhe gjatë fushatës, dhe këto perceptime janë të sanksionuara me përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Nga ky këndvështrim, përskaj prapavijës politike të referendumeve që duhet të mbahen, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, shohim se papajtueshmëri të dy aktiviteteve konkrete me përmbajtje plotësisht të ndryshme, të cilat planifikohet të mbahen në ditën e njëjtë. Kemi një aktivitet me përmbajtje politike, kjo është fushata zgjedhore, gjegjësisht, zgjedhjet për organet lokale të pushtetit, ndërsa nga ana tjetër kemi edhe një përcaktim tjetër me përmbajtje tjetër. Nga ky këndvështrim kemi papajtueshmëri mes ligjeve. Në këtë rast duhet të aplikohen përcaktimet e Kodit Zgjedhor, dhe jo përcaktimet e ligjit për mbajtje të referendumit”, thotë Kadriu.
Në konferencën për shtyp të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, me rastin e 100 ditëve të punës së Qeverisë së re, ministrja Milla Carovska në pyetje të CIVIL Media u përgjigj se “vendbanime për refugjatë as do të ndërtohen, as që ndërtohen për momentin, askund në territorin e Maqedonisë!” Disa herë e kam thënë nëpër mediat, kjo është gënjeshtër! VMRO -DPMNE paraqesin lajme të trilluara, me qëllim ta manipulojnë opinionin para zgjedhjeve lokale”.
Carovska ishte e vendosur se ajo dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë e respektojnë referendumin si mjet demokratik dhe apeloi se referendumet duhet të shpallen me kujdes, por edhe nëse shpallen, kjo nuk guxon të ndodhë në ditën e zgjedhjeve, pikërisht për shkak të përcaktimeve edhe në Ligjin për zgjedhje, por edhe në Ligjin për parandalimin e korrupsionit, në të cilin qëndron se mjetet që nuk janë të planifikuara në buxhet, nuk guxojnë të vendosen në këtë periudhë, sepse jemi në proces zgjedhor.
Nëse sipas vlerësimeve të ekspertëve juridikë, mbajtja e referendumeve në kohë të njëjtë me zgjedhjen e organeve lokale të pushtetit, është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në atë rast edhe referendumet në Bosillovë dhe Vallandovë, duhet të shpallen të pavlefshme, sepse janë organizuar pas shpalljes së zgjedhjeve lokale.
Organizata qytetare Legis, e cila merret me çështjen e refugjatëve në vend, thotë se përskaj prapavijës manipuluese të këtyre referendumeve, vihet në pyetje edhe e drejta e votës së atyre votuesve të cilët kanë qëndrime të qarta për refugjatët, siç është Mersiha Smailoviq nga Legis, fotografitë e të të cilës ishin të keqpërdorura në fushatën e zezë të VMRO-DPMNE, me të cilën nxitnin frikë dhe urrejtje mes qytetarëve.
Referendumi patjetër se nuk guxon të mbahet në ditën e njëjtë me zgjedhjet lokale sepse një pjesë e madhe e qytetarëve të cilët janë të qartë në qëndrimet e tyre, do të frikësohen të dalin nëpër vendvotime dhe të votojnë në zgjedhjet lokale, gjë që është, gjithashtu, e drejta e tyre e garantuar me kushtetutë”, tha Smailoviq për CIVIL Media.
CIVIL Media doli në rrugët e Shkupit dhe bisedoi me qytetaret dhe qytetarët për refugjatët. Në pyetjen nëse frikohen nga refugjatët, ata thonë se “edhe refugjatët janë njerëz, ikin nga vuajtjet…”. Një nga bashkëbiseduesit thotë : “Refugjatët dhe Platforma e Shqiptarëve janë vetëm reklamë e opozitës, e gjithë kjo është e zbrazët, ku është tani Platforma e Shqiptarëve? Këto janë vetëm loja pa kufi të opozitës, që ta frikësojnë popullin para zgjedhjeve lokale, që të mund të na mashtrojnë dhe të na vjedhin!”
Civili disa herë ka paralajmëruar për kontroversat juridike dhe politike të këtyre referendumeve “Referendumet janë kundërligjore, mirëpo ajo që brengos më tepër, është dimensioni i tyre politik i pistë. Organizatorët janë në bashkim të qartë me elementet më destruktive të skenës politike të Maqedonisë dhe kanë agjendë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, përmes ksenofobisë dhe islamofobisë, të sjellin tensione mes bashkësive etike dhe fetare në vend, siç ishte rasti me proceset e kaluara në regjinë e tyre. Thjeshtë, islamofobia dhe urrejtja janë mjete të pista politike të opozitës, e cila vazhdimisht promovon ekstremizëm dhe dhunë, që të sjell frikë të cilën pastaj e keqpërdor. Kryeministri, qeveria dhe institucionet relevante, nuk guxojnë të kalkulojnë me këtë fushatë të pistë dhe të heshtin. Pikë politike, të cilat nuk do t’i humbin tani, do të jenë humbje për tërë vendin në ardhmërinë e afërt”- tha Xhabir Deralla , CIVIL -Qendra për Liri.
Për momentin në kampin tranzitor Vinojug te Gjevgjelia, nëpër të cilin kalojnë me mijëra emigrantë, qëndrojnë vetëm 13 emigrantë nga Lindja e Afërt, të cilët janë në pritje të largimit nga Evropa, ose të kthehen në shtëpi. Pavarësisht nga kjo gjendje, partia më e madhe nxit frikë mes qytetarëve nga rreziku se Maqedonia do të jetë e mbuluar me refugjatë.
Maja Ivanovska