Shkruan: Sasho Ordanoski
[dropcap font=”arial” fontsize=”45″]N[/dropcap]jë mik, Shqiptar, votues i BDI, më thotë se pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të kaluar, BDI “është parti që është nisur në rrugë të gjatë, me makinë që ka kaluar 300 mijë kilometra pa remont motori, ndërsa vozitësi Ahmeti, i vetëdijshëm për këtë, rrugës dëshiron ta rregullojë makinën, mirëpo ai të mbetet vozitës! Gjatë kësaj, të gjithë në parti e kanë të qartë se BDI-ja e këtillë do të shkatërrohet për 24 orë pa “vozitësin” Ahmeti.
Një mik tjetër Shqiptar, mbështetës i Besës, më thotë se “Besa nuk deshi të hyjë në “pishinën” e Zaevit, duke u ankuar se dikush urinon në pishinë, por tani del se arsyeja e vërtetë që nuk janë futur të “lahen” në qeverinë e re, nuk është nga shkaqe higjienike, por, se në fakt ata nuk dinë not!”
Në muzgun para zgjedhjeve vendore, këto janë diagnozat për gjendjet në dy partitë kryesore q reflektojnë kryesisht në votat shqiptarë nëpër komuna. Dy partitë janë të shqyera nga ndarjet brenda-partiake në baza të ndryshme. Në BDI, mosdurimi mes Tetovarëve dhe Çairasve, mes më pak ose më tepër të kriminalizuarve, mes “reformuesve ”dhe atyre që mendojnë se janë më jetëgjatë nga çdo reformë….Në Besa, ndarja e atyre që mendojnë se lëvizja e tyre duhet të fillojë të ngjajë partisë teokratë, të ngjashme si ajo e Erdoganit, kundrejt “mjekroshëve” që janë më të afërt me modelin “Saudi- Katar” të organizatës popullore të tipit të “vëllazërisë myslimane”, po bëhet eksplozive. Edhe në BDI edhe në Besa, listat e kandidatëve për këshilltarë dhe ato për kryetarë komune do t’i reflektojnë këto ndeshje dhe epërsitë lokale të këtij ose atij fraksioni. Pastaj, të tendosur do ti presin rezultatet, jo për të mirën e partisë, por që të shihet se cila rrymë partiake do të fitojë. E, atëherë do të “luajnë” jataganët e brendshëm partiak, dhe gajtanët e mëndafshtë.
Mbi ta varet “shpata” e LSDM, të cilën edhe në BDI edhe në Besa e urrejnë sinqerisht, sepse u përzihet në “kunja” me votuesit e “tyre” shqiptarë. Për ata, VMRO çdo herë ka qenë kundërshtari i dëshiruar (edhe partneri!) për konfrontim zgjedhor.
Kryesisht për shkak të sqimave të ndryshme të liderëve, partitë më të vogla shqiptare do t’i shtyjnë koalicionet e ndërsjella për rrethin e dytë të votimit, që nuk është kompliment i madh për pjekurinë e tyre politike. Ndërsa nga koalicioni më i mundshëm i lokalizuar, parcial parazgjedhor i – siç thotë njëri nga Reçica e Vogël – “llafazani” Zaev me “heshtologun” Ahmeti, BDI mund ta shpëtojë kokën në disa gara komunale (Çair, Kërçovë, Strugë, po edhe Tetovë dhe Gostivar), derisa kalkulimet për kryetarë komune në Kumanovë, dhe para së gjithash, në Shkup, për LSDM ndoshta do të jenë çmim i paguar shtrenjtë që do ti largojnë vota nga votues shqiptarë – të cilat vota mund të shkrihen edhe te Besa edhe te partitë tjera më të vogla shqiptare – të cilat në zgjedhjet parlamentare, të dëshpëruar, u përcaktuan për socialdemokratët pikërisht për ti “lexuar” mësim jo të këndshëm BDI-së. Nëse kësaj i shtohet paranoja maqedonase nga Ligji për gjuhë dhe gënjeshtrat për refugjatët, në kombinim me pakënaqësi tjera të ndryshme në bllokun e mbështetjes pro-demokratike qytetare të cilën e ka LSDM në luftën kundër mbeturinave nga regjimi e Familjes, llogaritë edhe në LSDM duken relativisht problematike.
Fjala e urtë popullore thotë se “ në dasmë mund të vallëzojnë në valle edhe 500 njerëz, mirëpo vetëm njëri nga ata do të flejë me nusen!”…Të tilla janë edhe ambiciet e kandidatëve dhe matematikat parazgjedhore nëpër partitë tona. E për disa javë do të shohim se daullet e cilit do të rrahin pas dasmës, sidomos te BDI dhe te Besa.