Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, pyetëm disa gazetarë të shquar për të shprehur mendimin e tyre në lidhje me gjendjen e mediave tek ne. Gazetari Branko Geroski konsideron se ekziston korrupsion i paparë dhe kontroll i plotë i pushtetit mbi hapësirën e mediave:
Gjendja në fushën e lirisë së mediave është e përkeqësuar në mënyrë drastike, deri në një shkallë që është i kërcënuar pluralizmi i hapësirës mediatike, që është vlerë themelore për të cilën dolëm fitimtarë para dy dekadave. Me korrupsion të paparë deri tani mbi mediat kryesore dhe sidomos me kontrollin pothuajse të plotë mbi televizionet me koncesione nacionale, klika e Nikolla Gruevskit ushtron dominim mbi opinionin publik, ndërsa kur kjo nuk arrihet plotësisht, ajo e shkatërron rezistencën e gazetarëve me presione dhe me mbyllje të mediave me qasje kritike, por edhe me arrestime të gazetarëve, me çka jemi shembull i rrallë, nëse jo edhe i vetëm në Evropë. Por, pavarësisht nga të gjitha, unë jam optimist, sepse si çdo terr tjetër, ashtu edhe terri mediatik është më i errët para agimit – thekson Geroski.
Në pyetjen për të ndarë tregimin e tij personal me CIVIL-in, Geroski thotë:
Nuk kam vetëm një tregim për ndarje, angazhimi im profesional në këtë dekadë të pushtetit frikësues, në të vërtetë, është një përmbledhje tregimesh për presione të vazhdueshme, shpifje dhe ofendime të përditshme, kërcënime të hapura dhe publike për likuidime fizike dhe disa raste të lajmëruara në polici, deri më tani të pazbardhura, kuptohet. Për ne, një grup gazetarësh të cilët vazhdimisht e kritikojnë këtë regjim, prapa nesh është një dekadë e jetesës të rrezikshme, me të cilën tashmë sikur jemi mësuar. Fatkeqësisht, kjo flet keq për ne, kjo tregon se regjimi ka lënë pasoja të përhershme mbi jetët tona. Shpresoj se një ditë dikush do të përgjigjet për këtë.