Pas shpërbërjes së Kuvendit të Maqedonisë dhe “betonimit” të datës së zgjedhjeve për 5 qershor, të gjitha partitë opozitare shqiptare mbeten me qëndrimin se kushtet për zgjedhje të lira nuk janë plotësuar as për së afërmi. Lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, pjesa më e madhe e partive shprehen negativisht, ndërsa disa prej tyre do të shprehin qëndrimin e tyre final për pjesëmarrje gjatë kësaj jave.
Partia e sapoformuar UNITETI e Gëzim Ostrenit dhe deputetit Zulfi Adili me qëndrim: “Nuk do të legjitimojmë zgjedhje të vjedhura”. Në kumtesën e kësaj partie thuhet se pas vendimit për të shpërbërë Kuvendin dhe për zgjedhje më 5 qërshor pa u realizuar pikat kyçe të Marrëveshjes së Përzhinos: listë e pastruar zgjedhore, reforma në mediume dhe ndarje të partisë nga shteti, partia UNITETI deklaron qartë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje të tilla me çka do të legjitimonte zgjedhje të vjedhura nga ana e partive në pushtet. “Këtë qëndrim partia e ka paraqitur edhe në Kongresin e Parë të saj. UNITETI do të insistojë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë si dhe të çdo subjekti vendorë që ka për qëllim kthimin e demokracisë në vend, të krijohen kushte të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në të cilat vota e qytetarit është e pacenueshme dhe e plotfuqishme”, thuhet në kumtesën e partisë.
Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare në prononcimin e saj publik me qëndrim më të prerë. “Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka mbajtur qëndrim të paluhatshëm në lidhje me organizimin e zgjedhjeve parlamentare, se zgjedhje mund të ketë vetëm pas zgjidhjeve të çështjeve të rëndësishme në vend dhe prandaj, kjo maksimë vazhdon të jetë e paluhatshme edhe pas shpërbërjes së njëanshme të parlamentit mbrëmë vonë. Rilindja Demokratike Kombëtare nuk do të marr pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit përderisa së pari nuk ofrohen zgjidhje për një funksionim normal të shtetit”, theksohet në kumtesën e RDK-së.
Sipas kryetarit të Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Selës, partia që drejton ai asnjëherë nuk ka vlerësuar se ka kushte për zgjedhje të lira. Ai informoi se së shpejti edhe LR – PDSH do të prononcohet lidhur me situatën krijuar pas shpërbërjes së Kuvendit. “Së shpejti do të dalim në pres konferencë me qëndrimin tone, sigurisht brenda javës”, tha në bisedë telefonike për CIVIL kryetari i LR PDSH, Ziadin Sela.
Në prononcimin e dhënë në faqen e tij në rrjetin social Facebook, shpërbërjen dhe zgjedhjet i komentoi edhe lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. “Konsideroj se në Maqedoni nuk ka kushte për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, ndërsa për pjesëmarrjen ose jo të Lëvizjes BESA në zgjedhjet e datës 5 qershor do të vendos Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes BESA. Për ne, si Lëvizja BESA mbi të gjitha është e rëndësishme plotësimi i parakushteve për një proces korrekt zgjedhor. Si kryetar i Lëvizjes BESA gjykoj se nuk mund të shkojmë në zgjedhje ku legjitimohet manipulimi, ku rizgjidhen kriminelët dhe ku nëpërkëmbet vullneti demokratik i qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa në prononcimin e tij publik. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, pritet që Këshilli të mblidhet dhe të marrë këtë vendim brenda javës.
Petrit Saraçini