Kush kryesoi me institucionet publike në Manastir, kur numri më i madh i drejtorëve dhe drejtoreshave, që marrin pagat e tyre nga taksat që i paguajnë nga të gjithë qytetare(ë)t, dje ishin në kundër-protestë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup?
Kjo pyetje parashtrohet pasi që të shihen fotografitë e postuara në Facebook profilin “Manastir – Unioni i Grave”. Në fotografi shihen qartë kundër-protestueset krenarë, drejtoresha të shkollave fillore “Dr. Trifun Panovski”, “Kole Nedellkovski”, “Ellpida Karamandi”, drejtoresha e Qendrës për të Moshuar ” Sju Rajder”, kryetarja e Këshillit Komunal në Manastir, drejtoresha e konviktit studentor “Koço Racin”… Të mbështetur nga kryetarja e Unionit të Grave KK të VMRO DPMNE-së në Manastir. Një pjesë e qytetare(ë)ve, të neveritur nga mobilizimi i të punësuarve në institucionet publike në Manastir që ka zgjatur deri vonë në mbrëmje, reaguan në profilet e tyre në Facebook.
Për fat të keq, Manastiri nuk ishte i vetmi qytet, i cili dje ka funksionuar pa drejtuesit e institucioneve publike. Zyrtarë të lartë dhe funksionarë nga Velesi gjithashtu ishin të mobilizuar, në “mbrojtjen” e Maqedonisë.
Dje në mëngjes në Veles janë vërejtur disa autobusë rrugës për në Shkup. Të punësuarit në administratën publike nga NPK Derven, Komuna e Velesit, Qendra Mjekësore, prej shkollave fillore dhe të mesme, i kishin mbushur autobusët për kundër-protestën para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, në mbështetje të partnerit të tyre të koalicionit GROM dhe Stefçe Jakimovskit. Sipas informatave nga banorët e Velesit, të gjithë “pasagjerët” kanë qenë të angazhuar me direktivë të VMRO DPMNE-së. Punonjësit e institucioneve lokale dhe ndërmarrjeve publike në qytet, të cilët në vend se të jenë në vendet e tyre të punës, të paguar nga ne – qytetarët, ishin në funksion të partisë, në kundër-protestë të organizuar para Gjykatës Kushtetuese në Shkup.
Raportime prej qytetare(ë)ve të zhgënjyer nga sjellja e tillë dhe mobilizimi i pushtetit, vijnë edhe nga qytete të tjera anembanë Maqedonisë. I tillë është rasti me Prilepin, Kumanovën, Strugën dhe Kërçovën.
Në Kërçovë, dje, inspektorët e DAP-it në mesditë në mënyrë të organizuar lëshuan vendin e punës. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe një pjesë e punonjësve të Bankës Popullore, NP Studençica, REK Osllomej … Në kundër-protestën e mbrëmshme, funksionarët kërçovarë kishin kohë edhe për selfie, përfshirë këtu edhe kryetarin e KK VMRO – DPMNE-së, ish-zëvendësministër dhe drejtues i NP, si dhe anëtarët e Këshillit Komunal të Kërçovës.
Pyetja është: sa nga kundër-demonstruesit, funksionarë, inspektorë, administratorë, profesorë, arsimtarë, janë sot në punë, dhe sa janë të aftë për punë pas “ekskurzionit” të mbrëmshëm?