3.Misioni i dytë i ekspertëve (17 – 20 nëntor 2015)
Tema e misionit tonë të dytë në Maqedoni ka qenë financimi i fushatave zgjedhore, me fokus të theksuar në madhësinë dhe përmbajtjen, kontrollin brenda kuadrit ligjor që rregullon çështjet e përmendura më sipër. Anëtarët dhe bashkëpunëtorët e CIVIL-it fituan njohuri shtesë në lidhje me rregullimin ligjor të financimit të fushatave zgjedhore dhe partive politike në Kroaci si dhe për standardet ndërkombëtare.
Gjatë procesit të anëtarësimit në BE, Kroacia ka sjellë një kornizë ligjore cilësore për financimin e fushatave zgjedhore dhe partive politike [1], gjë që është e dobishme edhe në kontekstin e Maqedonisë. Shkëmbimi i përvojave dhe njohurive ka rezultuar me propozime konkrete nga CIVILI për organizimin dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave parazgjedhore si dhe për rolin e KSHZ-së. Tubimi publik mbulohej në mënyrë të rëndësishme nga mediumet, ndërsa në takimet/punëtoritë e mbyllura diskutohej me përfaqësues të organizatave të tjera të shoqërisë civile, përfaqësues të partive politike dhe ekspertë që merren me procesin zgjedhor.
Duke punuar me kolegët dhe sipas informacioneve që kemi marrë gjatë vizitës dhe inspektimit të Kodit Zgjedhor, besojmë se është e nevojshme që të përcaktohen limite në shpenzimin e parave në fushata dhe shuma të jetë funksionale, ekonomike dhe moralisht e pranueshme, duke pasur parasysh situatën sociale të tranzicionit në të cilën gjendet shoqëria e Maqedonisë dhe ekonominë e Maqedonisë. Gjithashtu duhet të shqyrtohet nevoja – kontrollimi i financimit të fushatës t’i besohet KSHZ-së, të cilin kontroll do ta kryejë në mënyrë të pavarur nga Zyra Shtetërore e Auditimit, me demarkacione të qarta në ingerenca. Duhet të përcaktohet edhe se mbikëqyrjen KSHZ-ja do të bëjë në bashkëpunim me autoritetet e tjera kompetente (për shembull Administrata Tatimore, Ministria e Financave …). Sipas informacioneve që kemi marrë, KSHZ-ja ka rreth 120 të punësuar në Shërbimin Profesional, që në krahasim me 14 të punësuarit në shërbimin profesional të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Kroacisë (organi që kryen mbikëqyrjen e financimit të fushatave) është numër i madh dhe kjo tregon se pa dyshim ka burime të mjaftueshme njerëzore për mbikëqyrjen e financimit të fushatave dhe partive politike, në qoftë se ekziston detyrim ligjor dhe vullnet politik i shprehur në mënyrë të qartë. Gjithashtu, mund të shqyrtohet mundësia e kontrollimit dhe të dorëzohet tek një tjetër trup i pavarur, i cili kërkon debat të duhur politik dhe publik.
Konstatuam se rregullimi i rolit të parave në politikë është një çështje qendrore e agjendave politike në mbarë botën. Monitorimi i financimit të fushatës nuk duhet të mbetet një letër e vdekur dhe duhet rregulluar në mënyrë të qartë obligimet e pjesëmarrësve në zgjedhje si dhe përmbajtja dhe afatet për dorëzimin e raporteve mbi shpenzimet për fushatat, e në këtë kuptim të përgatiten obligimet e trupit kompetent për mbikëqyrje. Është e nevojshme që raportet të shqyrtohen nga një organ i pavarur dhe në rast të mosrespektimit të detyrës, të rrjedhin sanksione, të cilat në Kroaci janë administrative dhe kundërvajtëse.
Rregullimi i financimit të partive është parakusht thelbësor për garë të drejtë politike, por për të pasur sukses kjo rregullore nuk është e mjaftueshme vetëm sjellja e ligjeve, por edhe gatishmëria për të bërë këto ligje efikase, për ç’gjë vlerësojmë se Republika e Maqedonisë duhet të bëjë përpjekje shtesë. Sigurisht se këtu përfshihet miratimi i standardeve të larta politike të partive udhëheqëse politike, të cilat do t’i paraqesin si qëndrime të veta.
Misioni i tretë i ekspertëve (9 – 11 dhjetor 2015)
Vizita e CIVIL-it iu përkushtua vëzhgimit të zgjedhjeve, si dhe aktiviteteve të planifikimit dhe metodologjisë gjatë periudhës së vëzhgimit të fushatës, ditës së zgjedhjeve dhe periudhës pas-zgjedhore, për zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni. Në këtë pjesë na u bashkangjit edhe kolegja Marina Shkraballo nga GONG-u, si njohës i shkëlqyer dhe ekspert në politikat ndërmjetësuese, i ndau njohuritë e saj me kolegët e CIVIL-it.
Si pjesë e metodologjisë për mbikëqyrje të zgjedhjeve u hartuan edhe organizatat e tjera civile, të cilat do të mundeshin të kontribuojnë, në aktivitete të përbashkëta me CIVIL-in, nëpërmjet ndëlidhjes dhe rrjetëzimit. Në lidhje me aktivitetet e lartëpërmendura, biseduam për nevojën për themelimin e një strukture organizative për përcjelljen e zgjedhjeve. Anëtarët dhe bashkëpunëtorët e CIVIL-it kanë përgatitur një plan të aktiviteteve për mbikëqyrjen e periudhës parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën paszgjedhore. I analizuam kapacitetet e organizatave dhe po planifikohet për bashkëpunim me organizatat e tjera të shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë, me qëllim që në mënyrë të përbashkët t’i mbikëqyrin zgjedhjet e ardhshme. Sipas kontekstit maqedonas politik dhe juridik, është zhvilluar metodologjia për ndjekje të procesit zgjedhor dhe vetëdija për nevojën për trajnim të mëtutjeshëm për të gjithë anëtarët e CIVIL-it rreth procesit zgjedhor. Anëtarët e CIVIL-it janë të njoftuar në detaje me të drejtat dhe obligimet e mbikëqyrësve nëpër të gjitha fazat e procesit zgjedhor dhe fituan njohuritë e nevojshme për analizim të pjesëmarrësve. Në bazë të kapaciteteve ekzistuese të CIVIL-it, është bërë një plan për përforcimin e tyre, me qëllim që të formohet një strukturë e re, e nevojshme për mbikëqyrje të suksesshme nëpër të gjitha fazat e procesit zgjedhor.
Përvojat e GONG-ut me mbikëqyrësit dhe mbikëqyrjen e të gjitha fazave të procesit zgjedhor është bazë e dobishme për formulimin e planeve për ndjekje të zgjedhjeve dhe formimin e strukturave organizative të CIVIL-it për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni. Gjithashtu, theksuam se CIVIL-i ka filluar një bashkëpunim aktiv me përfaqësuesit e organizatave tjera civile, të cilat punojnë rreth të drejtave të njeriut dhe rreth procesit zgjedhor, për mbikëqyrje të përbashkët eventuale të zgjedhjeve.
Sa i përket prononcimit nga mediumet rreth zgjedhjeve, nikoqirëve tanë ua prezantuam rregullat “e reja” për mediumet elektronike me koncesion nacional në Republikën e Kroacisë gjatë kohës së fushatës zgjedhore [2].
Implementimi i rregullave [3] “të vjetra” shpuri deri në atë pikë që emisionet debative, të cilat në Televizionin Kroat zgjasin 50 minuta, siç është përcaktuar sipas rregullave ekzistuese, një përfaqësues i ndonjë liste (nëse në Njësinë Zgjedhore ka 20 lista), të mos flasë më tepër se 2 minuta, ndërsa në emisionet tjera në mediumet tjera, ku rregullat parashohin kohëzgjatje prej 20 minutash, të flasin më pak se një minutë! Gjithashtu, obligimet e mediumeve elektronike në zgjedhjet për deputetë në Kuvendin kroat ishin të përgatitura në mënyrë shumë të detalizuar, me çka parandalohet krijimi i hapësirës për ndërmjetësim të lirë dhe kreativ të gazetarëve në mesin e qytetarëve dhe interesave të tyre dhe kandidatëve dhe interesave të tyre, e me këtë gjë çojnë deri tek informimi dhe edukimi i keq i votuesve në lidhje me partitë, për programet e tyre dhe për kandidatët.
Me rregullat e reja insistohet që në mënyrë sa më të mirë të ndjeken format dhe koha e ndjekjes së propagandës zgjedhore. Me këtë, nga njëra anë, u garantohet trajtim i barabartë i pjesëmarrësve në zgjedhje, ndërsa redaktorëve dhe gazetarëve u jepet liria për krijimin e emisioneve dhe përcaktohet një minimum i mbrojtur i termineve, që i përket secilit kandidat zgjedhor ose listë zgjedhore.
Është i rëndësishëm zbatimi i parimit të barazisë mes partive dhe kandidatëve në procesin zgjedhor. Barazia duhet të jetë e garantuar dhe për këtë qëllim është e nevojshme që organet shtetërore të kenë qëndrim neutral në raport me: fushatën zgjedhore, mediumet, veçanarisht mediumet shtetërore dhe financimin e partive dhe fushatave nga buxheti.
Në varësi të një subjekti të veçantë, barazia mund të jetë strikte ose proporcionale. Nëse barazia e partive politike është proporcionale, ato duhet të trajtohen sipas rezultateve të arritura në zgjedhje. Barazia veçanarisht i referohet prezantimit në radio/TV, mjeteve buxhetore dhe një lloji tjetër mbështetjeje [4].
Përfundim
Me implementimin e këtij projekti ne u përpoqëm ta ofrojmë ndihmën tonë nga ekspertë, kolegëve tanë nga CIVIL-i, me qëllim që CIVIL-i të etablohet edhe më tepër si organizatë relevante për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për promovimin e transparencës dhe për ndjekjen e procesit zgjedhor. Sigurisht, e vlerësojmë pozitivisht vullnetin e CIVIL-it dhe organizatave të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe për aktivitete të përbashkëta për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, për ndjekjen e procesit zgjedhor dhe për parandalimin e manipulimeve në procesin zgjedhor. Me anë të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, CIVIL-i fitoi ide të reja, si dhe çka të ndërmarrë për përmirësimin e procesit zgjedhor në Maqedoni.
[1] Zakon o financiranju političkih aktivnosti i izborne promidžbe („Narodne novine“, broj 24/11, 61/11, 27713 i 48/13-pročišćeni tekst)
[2] „Narodne novine“, broj 118/14
[3] „Narodne novine“, broj 165/03 i 105/07
[4] Kodeks dobre prakse u izbornim pitanjima, Smjernice i obrazloženja, Venecijanska komisija, listopad 2002.
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi