Komisioni Evropian nuk e komenton propozimin e Emanuel Makronit për bashkësi politike evropiane derisa të finalizohet, procesi për momentin mbetet i njëjtë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Pas propozimit të presidentit francez Emanuel Makron në fjalimin e tij nga Strasburgu se në mënyrë që Ukraina të integrohet më shpejt, nevojitet një komunitet politik evropian, sepse Kievit do t’i duhet të presë për shumë vite për anëtarësimin e plotë, Komisioni Evropian tha sot nuk mund ta komentojë këtë qëndrim derisa ta shohë të formuluar plotësisht.
“Dëgjuam dje, por ai vetë tha se propozimin do t’ua prezantojë më në detaje kolegëve të tij në Këshillin Evropian, do të presim të shohim se çfarë ka në mendje, por për sa na përket neve, ne kemi një proces evropian të anëtarësimit që është në vazhdim me një sërë vendesh dhe asgjë nuk po ndryshon në lidhje me këto procese, tha Erik Mamer, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Ai vuri në dukje se aplikimi i Ukrainës ka arritur në shërbimet e Komisionit dhe qëllimi është që ky institucion të publikojë një opinion për statusin kandidat të Kievit në BE deri në fund të qershorit.