Kryeministri Zoran Zaev sot pasdite ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit dorëheqjen e paralajmëruar në funksionin e kryeministrit.
“Në bazë të nenit 219, paragrafit dy i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ua deponoj dorëheqjen nga funksioni i kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht ju njoftoj se nuk do të elaborojë gojarisht”, thekson Zaev në dorëheqjen e tij me shkrim.
Ai në sqarim thekson se rezultatet e zgjedhjeve të fundit, megjithëse ishin lokale, për momentin politik në të cilin ndodhet vendi, kishin peshë kombëtare dhe politike.
“Në kushte të këtilla për mua personalisht dhe për mua si kryeministër, për shkak të politikave që besoj, do të ishte papërgjegjësi politike dhe e pajustifikuar para popullit tim dhe vendit tim, që unë personalisht të vazhdoj ta udhëheq qeverinë në rrugën euroatlantike. Mendoj se një kryeministër tjetër nga radhët e LSDM-së do të mund ta arrijë këtë në mënyrë më të mirë”, tha Zaev.
Ai theksoi se me këtë dorëheqje ndërmerr përgjegjësi dhe të shërbejë si shembull. “Dëshiroj të jap shembull që të njihen vendimet e virtytshme kur është e nevojshme dhe për të dhënë një kontribut tjetër në forcimin e kapaciteteve demokratike të popullit, por edhe liderëve të ardhshëm që të jenë të vetëdijshëm për detyrën e tyre qytetare kur e marrin kujdesin për vendin e tyre”, shkruan Zaev në letër.
Në letër, kryeministri i dorëhequr thotë se në mandatin e tij janë marrë vendime historike, siç është marrëveshja me Greqinë, me të cilën Maqedonia e Veriut i tha lamtumirë referencës FYROM dhe e ka konfirmuar gjuhën dhe identitetin maqedonas, si dhe anëtarësimin në NATO, ndërsa e përmendi edhe konceptin “Një shoqëri për të gjithë”.
Dorëheqjen duhet ta konstatojë kryetari i Kuvendit Xhaferi dhe sipas burimeve parlamentare, ai këtë do ta bëjë nesër para seancës për pyetjet e deputetëve. Pas dorëheqjes së Zaevit, presidenti duhet t’i japë mandat kryeministrit të ri. Sipas Kushtetutës, presidenti është i detyruar që brenda dhjetë ditësh t’ia besojë mandatin partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditësh, nga dita e besimit të mandatit, i paraqet Kuvendit program dhe propozon përbërjen e Qeverisë, qëndron në Kushtetutë.