CIVIL-i uron 10 dhjetorin, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe në botë me mesazhin: Lufta për të drejtat dhe liritë e njeriut vazhdon!
Edhe këtë vit, si 22 vitet e kaluara, në Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, CIVIL-i dërgon thirrje për përfshirjen e të gjithë qytetareve dhe qytetarëve në aksion të pa kompromis në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
CIVIL-i fton të gjitha institucionet të manifestojnë përgjegjësi dhe përkushtim maksimal dhe rikujton se të drejtat dhe liritë e njeriut janë obligimi i tyre i parë dhe më i madh. Në frymën e lirisë, solidaritetit dhe tolerancës, CIVIL-i fton për respektim dhe mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Është obligim i çdo shoqërie, i të gjitha institucioneve në nivel lokal dhe nacional, i të gjithë vendimmarrësve, pronarëve të bizneseve, si dhe e të gjithë personave, të respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Çdo njeri ka të drejtat dhe liritë e njëjta me të gjithë njerëzit në botë, vetëm sepse është njeri. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë të patjetërsueshme – askush nuk mund t’i jep as ti merr, sepse ato i takojnë secilit njeri!
Barazi, ulje e pabarazive, avancim i të drejtave të njeriut
Tema e Ditës Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut këtë vit është “Barazi, ulje e pabarazive, avancim i të drejtave të njeriut”, në bazë të kornizës së përbashkët për aksion të sistemit të KB-së:”Nuk lëmë askënd pas: Barazi dhe mosdiskriminim në zemrën e zhvillimit të qëndrueshëm”.
Në prill të vitit 2016, anëtarët e Bordit kryesor ekzekutiv të sistemit të Kombeve të Bashkuara për koordinim, u angazhua për imperativin e eliminimit të diskriminimit dhe uljen e pabarazisë brenda dhe mes vendeve. Angazhimet janë në përputhje me përpjekjet e KB-së për të mbështetur shtetet anëtare në zbatimin e Аgjendës për zhvillim të qëndrueshëm 2030.
Deklarata universale për të drejtat e njeriut, dokumenti më i përkthyer në botë
Dita e të Drejtave të Njeriut është datë ndërkombëtare që shënohet në nder të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut të cilën Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e miratoi më 10 dhjetor të vitit 1948. Sipas KB-së, ky dokument ndërkombëtar, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNJ) përfaqëson një moment të rëndësishëm në historinë e të drejtave të njeriut dhe është i përfshirë në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore.
Këtë vit, në 73-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, me temë “Barazia, ulja e pabarazive, promovimi i të drejtave të njeriut” është inspiruar nga neni 1 i DUDNJ-së:
“Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta.”
Deklarata universale për të drejtat e njeriut është përkthyer në më shumë se 500 gjuhë që e bën dokumentin më të përkthyer në botë.
CIVIL-i në Ditën e të drejtave të njeriut me ngjarje kushtuar barazisë gjinore
CIVIL-i këtë vit do të shënojë Ditën e të Drejtave të Njeriut me debat kushtuar barazisë gjinore ”Mes deklaratave dhe realitetit”. Me zgjedhjen e temës për barazi gjinore, CIVIL-i qartë i shpreh pozicionet e organizimit dhe përcaktimit për tejkalim real dhe konkret të sfidave lidhur me diskriminimin dhe pabarazinë me bazë gjinore.
Në këtë ditë, CIVIL-i edhe njëherë apelon deri te të gjithë qytetaret dhe qytetarët edhe deri te të gjitha institucionet në nivel nacional, ta lexojnë Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe t’i respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut deri në pandashmërinë dhe universalitetin e tyre.