Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, sot e ka vizituar Brukselin dhe Brizhin dhe realizoi takim me homologun e tij bullgar Svetllan Stoev, një ditë pas zgjedhjeve në Bullgari, ai paralajmëroi BE-në se po bëhet jotërheqëse për votuesit në Ballkanin Perëndimor, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Kjo është përgjigja e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut në pyetjen nëse pa negociata në dhjetor ekziston rrezik për Maqedoninë e Veriut dhe për mbarë rajonin.
“Mendoj se problemet do të fillojnë kur BE-ja nuk do të jetë një biletë fituese për zgjedhjet, ndërsa ne tashmë jemi duke lëvizur në rrugën që ideja evropiane të mos jetë më fituese. Atëherë është skenari i keq për të gjithë rajonin, kur do të dalin në sipërfaqe retorikat nacionaliste, retrograde, atëherë do të duhet të menaxhojmë krizat në vend se të ardhmen”, deklaroi Osmani për MIA-n.
Ministri mori pjesë në një takim të gjashtë ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me studentë nga Kolegji në Brizh, ku trajnohen diplomatë dhe funksionarë të ardhshëm të BE-së. Në takim, ministret e jashtme të Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës paralajmëruan se rajoni po lëvizë drejt destabilizimit, madje edhe drejt luftës së re të mundshme qytetare. Megjithatë, ministri i Maqedonisë së Veriut me ton më të moderuar shprehet se fakti që tri shtete të rajonit tani janë anëtare të NATO-s sjell stabilitet.
“Po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Bosnjë dhe në kufirin kosovaro-serb. Megjithatë, fakti që tre vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, jep sadopak besim në atë proces, por duhet të jemi të kujdesshëm. Por mendoj se prishja e besueshmërisë së BE-së në rajon i hedh në mënyrë plotësuese vaj këtij zjarri potencial, latent, por Osmani shton se nuk beson në konflikt si në vitet 1990. Ministri i Jashtëm tha për MIA-n se nga takimi me ministrin bullgar është krijuar përshtypja se të dyja palët po shkojnë drejt një faze më të parashikueshme në marrëdhëniet. “Shkëmbyem mendime për dinamikat në dy vendet që ishin të trazuara në periudhën e fundit, me ndjenjën se të dyja vendet po hyjnë në parashikim pas zgjedhjeve, që ofron mundësi për një qasje më të fokusuar në raport të arritjes së zgjidhjes.
“Kështu që në ditët në vijim do të duhet të vazhdojnë përpjekjet mes dy ministrive, me shpresën se së shpejti do të formohet një qeveri politike në Bullgari, që sipas tyre është megjithatë moment i rëndësishëm për arritjen e zgjidhjes”, tha Osmani për MIA-n, por askush, shprehet ai, nuk mund të garantonte asgjë, ndërsa Maqedonia e Veriut, e mësuar nga dëshpërimet, mbetet vigjilente.
”Madje edhe pa qeveri të re në Bullgari, bisedimet, po madje edhe zgjidhje, janë të mundshme teknikisht dhe legalisht”, shprehet ai. “Ekziston mundësia që legalisht, sidomos në kushtet kur javën e ardhshme do të kemi president të zgjedhur, mirëpo shumë do të varet nga përbërja e asaj qeverie, pikëpamjet e ndryshme të partive në atë qeveri. Sidoqoftë, ajo që ndjej në Bruksel është se alarmi është vënë kudo nga Brukseli në të gjitha anët e Evropës për të gjetur një zgjidhje sivjet. Ky alarm dëgjohet edhe në Uashington. Askush nuk mund të garantojë se sa do të japë kjo rezultate”, konsideron ministri.
Osmani shprehet se një nga ato alarme janë informacionet që dolën javën e kaluar në opinion se presidenti francez Emanuel Makron, ka porositur se bisedimet me Shkupin dhe Tiranën duhet të fillojnë më së voni deri më 31 dhjetor. “Prandaj thashë se alarmi dëgjohet në kryeqytetet, veçanërisht ato të Evropës Perëndimore, që të arrihet zgjidhje para fundit të këtij viti, të tilla janë informacionet se përkushtimi është që deri në fund të këtij viti të bëhen të gjitha përpjekjet. Në këtë dinamikë kemi hyrë edhe ne, por pas aq shumë zhgënjimeve në të kaluarën, askush nuk mund të garantojë me siguri, por ne po punojmë sikur hapi i ardhshëm të jetë dhjetori”, shtoi ai.
Megjithatë, për Maqedoninë e Veriut nuk ka dhe nuk do të ketë alternativë për BE-në, përsëriti Osmani.
“Plani B nuk ekziston as gjeografikisht, as politikisht dhe as nga çfarëdo aspekti. Ne jemi pjesë e Evropës, do të jemi pjesë e BE-së. Nuk dua t’i justifikoj këto hapa të ngadaltë drejt Evropës në drejtim të zgjerimit, por le të marrim shembujt e Spanjës, e cila priti 25 vjet për anëtarësim nga dita e aplikimit, ose një Britani e Madhe, e cila u refuzua dy herë dhe priti me dekada për anëtarësim. Do të duhet ta durojmë në atë rrugë meqë nuk kemi alternativë. Sigurisht që do të kemi plane alternative se si të arrijmë qëllimin, por jo alternativë për BE-në”, shprehet Osmani.
Për krizën e brendshme politike, Osmani vlerësoi se koalicioni aktual qeverisës “duhet të vazhdojë të stabilizojë drejtimet strategjike të shtetit, kur kjo të arrihet atëherë është e lehtë për të gjitha zgjidhjet”. Ai shtoi se do të ishte mirë që Zoran Zaev të mbetet në krye të asaj qeverie, por se në fund të fundit ky është vendim i tij.
BDI nga ana e saj nuk ndihet e kërcënuar. “BDI-ja konfirmoi legjitimitetin te populli shqiptar, e vetmja parti që kishte rritje të votave në këto zgjedhje dhe mendoj se në çfarëdo konstelacioni do të jetë në njëfarë mënyre timonieri i proceseve euroatlantike në shtet”, shton Osmani.