Këshilli ekzekutiv dhe qendror i LSDM-së mbrëmë unanimisht sollën vendim që kryeministri dhe lider i partisë, Zoran Zaev t’i shtyjë dorëheqjet derisa nuk normalizohen proceset në shtet.
“Në diskutim demokratik në të cilin anëtarët e Këshillit, duke pasur parasysh para së gjithash ngjarjet në vend dhe momentumin në të cilin ndodhet Maqedonia e Veriut në këtë periudhë, e cila është mjaft kyçe për proceset të cilat duhet të pasojnë, unanimisht solli vendim që kryeministri dhe lideri i partisë Zoran Zaev t’i shtyjë dorëheqjet për një kohë të caktuar derisa nuk normalizohen proceset, deklaroi kryesuesi i KQ të LSDM-së, Pero Kostadinov pas mbledhjeve të djeshme të të dyja organeve.
Sipas Kostadinov, shtyrja e dorëheqjeve do të jetë për kohë të pacaktuar derisa situata në shtet e kërkon këtë. “Nuk duhet të theksoj se vendi pas shumë vitesh regjim vazhdon dhe ndërtohet mbi vlerat evropiane, mbi vlerat e vërteta demokratike dhe liridashëse. Kjo është liri në të cilën parimet e bashkimit, parimet e bashkëjetesës janë udhërrëfyesi ynë kryesor dhe për këtë LSDM po korrigjohet në nivelin e kësaj detyre dhe periudhën e ardhshme do të funksionojë në interes të qytetarëve dhe mundësisë me të cilën përballet që vendi të bjerë në një krizë të re dhe të vendoset në disa procese retrograde. Vendimi i përgjithshëm që është marrë është se momentumi me të cilin po përballet Maqedonia e Veriut është shumë i rëndësishëm dhe të gjithë duhet të jemi në nivel të detyrës, sepse çmimi është i lartë”, potencoi Kostadinov.
Ai shfaqi shpresë se të gjithë, ndërsa para së gjithash politikanët dhe funksionarët, do ta ruajnë kursin demokratik në të cilin është nisur shteti dhe se të gjithë bashkë “do të vazhdojmë në rrugët të cilat nënkuptojnë progres dhe para së gjithash lëvizje në rrugët evropiane”.
Para fillimit të mbledhjeve të Këshillave ekzekutiv dhe qendror, zëvendëskryeministri dhe nënkryetar i LSDM-së, Fatmir Bytyqi deklaroi se partia duhet të përgatitet për të enjten, sepse para nesh janë sfida të mëdha, edhe ekonomike, edhe shoqërore, për të cilat do të shqyrtojnë zgjidhjet më të mira. Lidhur me dorëheqjen e paralajmëruar të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev Bytyqi theksoi se hapin e tillë e konsideron akt demokratik.
Paraprakisht LSDM përmes një kumtese partiake porositi se e enjtja është dita kur do të shihet nëse VMRO-DPMNE do të arrijë të grumbullojë mjaft deputetë për votim të mosbesimit të Qeverisë apo ndërkaq në sipërfaqe do të del edhe një blof i liderit të kësaj partie, Hristian Mickoski. Partia paralajmëroi se vazhdon të bisedojë edhe të inicojë bashkëpunim me të gjitha forcat progresive dhe demokratike, me qëllim që të sigurojë të ardhme stabile për shtetin dhe tërë popullin. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE akuzoi se LSDM po tenton me shantazhe dhe kërcënime të mbetet në pushtet.
“Po përsëriten skenarët me presione ndj deputetëve, kësaj radhe të nënshkruar në iniciativën për votim të mosbesimit të Qeverisë aktuale. Informatat janë se ato presione janë intensive dhe se nuk kursejnë as në keqpërdorime, as në oferta të pahijshme. Ndaj pohimeve të këtilla, LSDM u përgjigj se VMRO-DPMNE po tenton të gjejë alibi në gjoja kërcënime ndaj deputetëve, pasi që “po bëhet e qartë se Hristian Mickoskit po i avullohet shumica në Kuvend”.
“Deputetë të opozitës vetë pranojnë se nënshkrimet për Nismën për mosbesim të Qeverisë janë mbledhur përmes gënjeshtrave dje mashtrimeve të ndërsjellta”, theksoi LSDM. Deputeti nga Alternativa, Skender Rexhepi të hënën deklaroi se ishte “gënjyer” të nënshkruhet në nismën për shumicë të re parlamentare, duke cekur se nuk dëshiron të marrë pjesë në rrëzimin e Qeverisë së bashku me deputetë të Së Majtës.
Ai madje paralajmëroi edhe se do ta braktisë Alternativën, nëse partia së bashku me të Majtën merr pjesë në rrëzimin e Qeverisë. pas kësaj, dje përmes Fejsbukut u deklarua koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili i propozoi Rexhepit të nënshkruhet në nismë të re për votim të mosbesimit të Qeverisë së bashku me 19 deputetë të tjerë të VMRO-DPMNE-së.
“Kolegë Skender Rexhepi, ta ruajmë dinjitetin e deputetëve dhe prandaj ju bëj thirrje së bashku t’i vemë fund shkeljes së deputetëve nga ana e regjimit hibrid dhe në pajtim me nenin 92 të Kushtetutës, zgjidhni 19 deputetë nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së të cilët së bashku me ju do të parashtrojnë nismë të re në Kuvend për votim të mosbesimit të qeverisë së regjimit hibrid LSDM-BDI”, shkroi Micevski në Fejsbuk.
Deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi mbrëmë konfirmoi se e pranon sfidën të cilën sot ia propozoi koordinatori i grupit parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micesvki, që të nënshkruhet në iniciativën e re për votëbesim të Qeverisë. Nëse nuk votohet mocioni i votëbesimit të Qeverisë, në 90 ditët e ardhshme nuk mundet përsëri të ketë votim për këtë çështje, deklaroi mbrëmë në emisionin “Klik Plus” në TV 21 kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. “Janë të qarta procedurat. Ka mbledhje të caktuar të enjten. Mbledhja duhet të ketë epilog. Epilogu mund të jetë, votohet mosbesimi – bie Qeveria, nuk votohet mosbesimi – nuk bie Qeveria. Pas kësaj në 90 ditët e ardhshme nuk mund të ketë përsëri mocion për votëbesim. Për këtë është dhënë afat prej 90 ditëve”, tha Xhaferi.
Procedura, siç theksoi ka filluar dhe sqaroi se nëse tani tërhiqet kërkesa për votëbesim të Qeverisë, nuk ka të drejtë për kërkesë të sërishme të votëbesimit në 90 ditët e ardhshme. Mbledhja për votëbesimin e Qeverisë është caktuar të enjten në orën 11. Sipas Xhaferit kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka bërë mirë që nuk u tërhoq nga funksionet.
“Nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet momentale. Duhet të koordinohet dhe të vazhdojë t’i udhëheqë institucionet. Nuk duhet të merr vendime emotive, ka përgjegjësinë që ta udhëheqë Qeverinë. Institucionet duhet të funksionojnë normal. Ky është kthim mbrapa. Bëjmë një hap para, dy prapa”, tha Xhaferi.
Ish-ambasadori i Greqisë në Shkup, Aleksandros Malas se përgjegjësi për situatën aktuale në vend kanë edhe “disa vende konkrete të Bashkimit Evropian, për shkak të mos sukseskit për t’i dhënë dritë jeshile negociatave inkuadruese. “Jemi në fazë, që do të thosha se ishte e parashikueshme, pas dështimit të disa vendeve anëtare të BE-së për të “dhënë dritë jeshile” për negociatat aderuese, që ishin një nga motivet shumë të forta për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës dhe natyrisht për ratifikimi nga Kuvendi i Shkupit. Më lejoni të them se ka një përgjegjësi të vendeve të veçanta të Bashkimit Evropian”, tha Malas për televizionin grek “Skaj”.