Opozita më së voni deri në ora 14:30 do të presë që kryeministri Zoran Zaevi dorëheqjen e paralajmërua nuk e deponon në Kuvend, nëse kjo nuk ndodh, siç paralajmëruan, në Kuvend do të parashtrohet nisma për votimin e mocionit të Qeverisë. Mickoski u bëri thirrje deputetëve, që krahas atyre 61, të cilët, siç përmendi, tashmë janë pjesë e shumicës, t’u bashkëngjiten.
“Është e hapur dera për secilin që mendon se kjo Qeveri e Zaevit nuk është e mirë. Secili që e mbështet këtë Qeveri, normalisht se nuk do të jetë pjesë e deputetëve, të cilët do ta votojnë mocionin. Këtu nuk ka parti politike, por bëhet fjalë për deputetë. Gjithsej 61 kanë ndaluar prapa nismës. U bëj thirrje edhe të tjerëve që të bashkëngjiten”, theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Sipas tij, pas deponimit të nismës, procedura do të jetë në duart e kryetarit të Parlamentit, i cili duhet t’i respektojë procedurat dhe afatet. Në Tetovë dje u mbajt mbledhja e Këshillit qendror të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në të cilën u diskutua për hapat e mëtutjeshëm të partisë duke marrë parasysh dorëheqjen e ofruar të kryeministrit Zoran Zaev. Zëdhënësi partiak, Bujar Osmani pas mbledhjes treorëshe deklaroi se ky organ partiak e ka autorizuar liderin vetë të sjellë vendime.
“Anëtarët e Këshillit qendror biseduan për atë se cilat janë interesat e qytetarëve dhe interesat e shtetit. U dakorduan se vazhdimi i kursit euroatlantik të shtetit është pa alternativë dhe se është e domosadoshme të bashkohen të gjitha forcat dhe të bëhen të gjitha përpjekjet me qëllim që ky kurs euroatlantik i shtetit të garantohet, sepse është pa alternativë, si dhe të vazhdohet me realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore të cilat janë filluar, ndërkaq janë të rëndësishme për standardin më të mirë dhe jetën më të mirë të qytetarëve. Unanimisht, Këshilli qendror e autorizoi kryetarin Ahmeti të vazhdojë të bisedojë me të gjitha partitë politike në mënyrë që, si faktor i rëndësishëm dhe vendimtar pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, të ruhet kjo rrugë progresive dhe ky kurs euroatlantik i shtetit, duke biseduar me atë rast me të gjitha partitë politike të të dy blloqeve përveç atyre që janë kundër këtij kursi euroatlantik, kundër interesave strategjike të qytetarëve dhe shtetit”, deklaroi Osmani.
Sipas tij, Ahmeti do të bisedojë me të gjitha partitë përveç me, siç tha, partitë destruktive, ndërkaq, siç tha, të gjitha opsionet janë në tryezë me të gjitha forcat konstruktive në shtet. Nga LSDM-ja dje vetëm përmes kumtesës shprehën skepticizëm për shumicën e re parlamentare të paralajmëruar. “Ditët në vijim do të tregojnë nëse do të zgjidhet Qeveri e re anti-demokratike, anti-Prespë, anti-Nato dhe anti-BE, nëse Mickoski ka kapacitet dhe përgjegjësi. Informatat të cilat dje u paraqitën në opinion, se një pjesë e deputetëve të cilët janë nënshkruar, janë keqpërdorur, tregon për çfarë “parime” bëhet fjalë.
Me partnerë të cilët janë kundër NATO-s, të cilët janë kundër Marrëveshjes së Prespës, të cilët janë kundër konceptit një shoqëri për të gjithë, kundër anëtarësisë në BE, është e qartë agjenda e Mickoskit. Nuk ka këtu kurrfarë ide politike, kurefarë vlera, nuk ka parime politike, platformë, Mickoski ka vetëm dëshirë për pushtet”, u theksua në kumtesë.
Konflikti i qëndrimeve, konflikti i politikave dhe konflikti i vlerave i të gjithë këtyre subjekteve politike nuk mund të reflektojë diçka për interesin e qytetarëve, as ndërkaq për interesat nacionale të shtetit.