Shpallja e gjendjes së krizës energjetike nuk do të thotë se do të ketë restriksione të energjisë elektrike, masa të tilla nuk janë parashikuar. Sipas të gjitha të dhënave të cilat i kemi për momentin nuk ka problem me furnizimin e energjisë elektrike, kriza ndodh për shkak të goditjeve të mëdha të çmimeve në bursat e energjisë elektrike, prandaj do të kërkojmë nga Qeveria në seancën e rregullt të ardhshme të shpallet gjendje krize energjetike. Këtë e theksoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi duke qenë mysafir sonte në ditarin e Televizionit Sitel.
“Gjendja e krizës në sektorin energjetik do të shpallet që të mundemi si Qeveri direkt të injektojmë mjete nga buxheti për EMV-në dhe MEPSO-n që të rritet likuiditeti i tyre. Për atë qëllim i kemi bërë edhe ndryshimet në Dekretin për shpallje të gjendjes së krizës që të mund të transferohen mjetet për kompanitë energjetike. Nga Ministria e Financave janë siguruar rreth 100 milion euro që të mundet direkt të intervenohet në këto dy kompani që të mundet MEPSO t’i mbulojë borxhet të cilat i ka, ndërsa EMV të sigurojë qymyr për prodhimtarinë e energjisë elektrike”, tha ministri Bekteshi.
Ai potencoi se për momentin punohet në vendosjen në funksion të të gjitha kapaciteteve vendore për prodhimtarinë e energjisë elektrike që të mos ketë goditje të çmimeve, gjegjësisht të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.
“Nga prodhimtaria vendore çmimi prodhues i energjisë elektrike arrin prej 56 në 70 euro për megavat orë, ndërsa çmimi i energjisë elektrike në bursa është 200 euro për një megavat orë. Me masat të cilat i sjellim kujdesemi për qytetarët dhe amvisëritë edhe për konsumatorët e vegjël të mos ketë rritje të çmimit të energjisë”, tha Bekteshi. Ministri përkujtoi se tashmë janë sjellur masa që të shmangen goditjet e çmimeve siç është zvogëlimi i TVSH-së së energjisë elektrike, si dhe programi për varfëri energjetike.
“Për momentin përgatitet Program i ri për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve të cilët marrin vauçerë prej 1000 denarë për varfëri energjetike, ndërsa me këtë program u ndihmohet 25 mijë amvisërive në shtetin tonë, për rritjen e tyre, si dhe direkt të ndikojmë në këtë grupë qytetarësh”, theksoi ministri Bekteshi.