Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmidt, porositi sot nga Shkupi se, është çdoherë e rëndësishme të zbatohen rekomandimet që jepen para dhe pas zgjedhjeve dhe pret që Maqedonia e Veriut t’i zbatojë të gjitha rekomandimet, shkruan Portalb.mk.
Ajo sot, në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi se, OSBE është platforma e vetme për bisedime për çështje të sigurisë si dhe se, çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë duhet të shqyrtohet edhe nga pikëpamja e mjedisit jetësor, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës.
“Gjithsesi, Maqedonia e Veriut kontribuon ndaj sigurisë, veç më keni arritur përparim të madh në vitet e fundit në reformimin e legjislacionit tuaj si pjesë e procesit në anëtarësimin drejt BE-së, duke siguruar respektim të të gjithë bashkësive etnike”, deklaroi Schmidt.
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, ajo tha se është e shkëlqyeshme që Maqedonia e Veriut merr pjesë në projekt rajonal për monitoring të gjykimeve për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse ky monitorin do të jep indikacione ku duhet të rriten kapacitetet.
“Edhe një problem i cili ndikon ndaj të gjithëve është tregtia me njerëz, problem i cili u përkeqësua gjatë kohës së kovid – krizës, ajo lidhet me krimin e organizuar dhe në këtë çështje bashkëpunojmë me shumë shtete. Kjo nuk është çështje që mund ta zgjidh vetëm një shtet”, tha Schmidt.
Ajo shtoi se, lufta kundër korrupsionit është çështje që ndikon te të gjithë dhe për këtë është e një prioriteti të rëndësishëm për OSBE-në.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, pas takimit me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, deklaroi se, në takim u bisedua për hapat e ardhshëm në kontekstin e kryesimit të vendit me OSBE-në në vitin 2023, për përgatitjet të cilat janë në vijim e sipër; aktivitetet e grupit punues në MPJ si dhe vendosjen e strukturës e cila do ta bartë barrën e rëndë të presidencës në Vjenë; si dhe për procesin konsultativ rreth prioriteteve dhe agjendës së Presidencës.
“Si vend ne demonstrojmë proaktivitet, kapacitet dhe vullnet për marrjen e përgjegjësisë mbi rrjedhat globale në një kohë kur ato janë të mbushura me pasiguri dhe paparashikueshmëri. Fundja, kjo dhe pritet nga ne, si vend i cili ndërton model të suksesshëm të demokracisë multietnike funksionale; si vend anëtar i NATO-s dhe si pretendent serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Osmani.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që kryesimi me Organizatën seriozisht do të kontribuojë drejtë forcimit të pozicionimit të vendit në korniza ndërkombëtare si aktor konstruktiv dhe kontribuues serioz në ruajtjen e multilateralizmit, si përfitim më i rëndësishëm civilizues i njerëzimit që siguron paqe stabilitet dhe bashkëpunim afatgjatë.
Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, në kuadër të vizitës së saj në Shkup, takoi edhe presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zaev.
Pendarovski në takim tha se, për Maqedoninë e Veriut është e rëndësishme ekspertiza e OSBE-së në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, qeverisjen e mirë, si dhe reformat zgjedhore në përputhje me rekomandimet dhe standardet evropiane.
Pendarovski dhe Schmid shkëmbyen mendime rreth përgatitjeve për kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023
Në atë kontekst, presidenti Pendarovski theksoi gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të dhënë kontribut aktiv në promovimin e vlerave dhe angazhimeve të OSBE -së dhe shprehu pritshmërinë që presidenca të kontribuojë në promovimin e dukshëm të vendit tonë si aktor aktiv në planin multilateral.
Ndërkohë, në takimin me kryeministrin Zaev, u konfirmua përcaktimi i fuqishëm i Qeverisë së vendit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe përkushtimin në vazhdimin e proceseve reformuese, sundimin e së drejtës, përmirësimin e kapaciteteve në sistemin e gjyqësorit, përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin dhe njëkohësisht stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se vazhdon përkushtimi për intensifikimin e bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe OSBE-së, si dhe ndihma të cilën vendi e merr në realizimin e proceseve reformuese dhe në drejtim të vazhdimit të proceseve demokratike dhe realizimin e qëllimeve strategjike të vendit, siç është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian dh nxitje e zhvillimit evropian. Në takim u diskutua edhe për proceset përgatitore për kryesimin të ardhshëm të vendit tonë me OSBE-së në vitin 2023, me ç’rast u nënvizua se kjo është njohje për vendin tonë”, njoftuan nga Qeveria.
Po ashtu, u theksua se multilateralizmi është një platformë e shkëlqyer ku vendet e vogla mund të tregojnë kapacitetet e tyre dhe të luajnë një rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Që nga viti i ardhshëm, Maqedonia e Veriut hyn në Treshen e OSBE-së, së bashku me kryesuesen e sivjetme Suedinë, si dhe me kryesuesen e vitit 2022, Poloninë. Nga viti i ardhshëm do të kryesojmë edhe me Grupin e partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim me OSBE-në, si provë e përgjithshme për obligimet tona si Kryesuese me Organizatën në vitin 2023.