Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot në hapësirat e SHFK “Ismail Qemali” bashkë me Ministren e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, drejtorin e Shoqatës Aksionare MEPSO, Kushtrim Ramadani dhe drejtoreshën e shkollës, Burbuqe Ymeri shënuan investimin e radhës në sferën e arsimit, vendosjen e gjithsej 19 smart tabelave në shërbim të nevojave bashkëkohore të mësimdhënies në këtë shkollë.
Ganiu tha se duke e pasur parasysh faktin se bota po përparon shumë shpejt drejt digjitalizimit, ky nuk është aspak një investim i thjeshtë, por një hap shumë i rëndësishëm për proces cilësor edukativo-arsimor sipas standardeve bashkëkohore.
“Peshën e madhe të këtij investimi e shton edhe fakti se i njëjti përkon me qasjen progresive të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe angazhimin e saj për implementimin e mekanizmave inovativ të mësimdhënies. Investimet në shkollat, rrjedhimisht në dituri, janë gjëja më e çmueshme që mund ta bëjë Komuna e Çairit”, theksoi Visar Ganiu.
Investimi i përbashkët i Komunës së Çairit me Shoqatën Aksionare MEPSO, arrin vlerën e përgjithshme prej afër 1.600.000 denarë ose afër 26.000 euro.