Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencë për shtyp, sot pasdite njoftoi se janë siguruar vaksina për 400.000 qytetarë, gjegjësisht 833.000 doza. Ai tha se vaksinimi nuk do të jetë i obligueshëm, ndërsa për vaksina qytetarët nuk do të paguajnë.
“Në pjesën e furnizimit të vaksinave, nëpërmjet mekanizmit KOVAKS, mekanizëm i OBSH-së në të cilin marrin pjesë të gjithë vendet fqinje, tanimë janë siguruar 833.000 vaksina për 400.000 qytetarë, pasi që do të vaksinohen me dy doza. Në kuadër të këtij sistemi do t’i marrim vaksinat në pajtueshmëri me planin për furnizim të cilin KOVAKS do ta caktojë”, paralajmëroi ministri Filipçe.
Përveç këtij mekanizmi, ai tha se është dorëzuar kërkesë për marrëveshje direkte me dy kompani botërore për vaksinat e tyre dhe pas përgjigjeve të tyre iniciale do të pritet konfirmimi definitiv se sasia shtesë e vaksinave kundër KOVID-19 do të mund të furnizohet direkt prej kompanive.
“Mekanizmi i tretë është ai të cilin e ofruan një pjesë e vendeve të BE-së. Në fakt, marrëveshjen e tyre bilaterale – të drejtpërdrejta me një pjesë të kompanive janë siguruar 400 milionë doza për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, prej të cilave 100 milionë janë siguruar për vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Ofertë iniciale kemi marrë nga Polonia”, tha Filipçe.
Të parët që do të vaksinohen do të jenë punëtorët shëndetësorë, të sëmurët kronik dhe personat më të moshuar se 65-vjeç.
“Si prioritet do të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë të cilët punojnë në kovid-qendrat, pastaj ata që punojnë me marrjen e strishove, pastaj qytetarët mbi 65-vjeç dhe pacientët me sëmundje kronike dhe sëmundje kardiovaskulare, të punësuarit në infrastrukturën kritike dhe gjithsesi në transport”, theksoi ministri.
Vaksinimi i grupeve specifike të punëtorëve do të kryhet në institucionet shëndetësore publike.
“Epidemia ende është shumë e fuqishme. Me të vërtetë ka një numër të madh të të infektuarve. Para nesh është periudhë e tubimeve familjare dhe festave. Apeloj deri te të gjithë që të përmbaheni prej festave të tilla. Jam i sigurt se vitin e ardhshëm festat e fundvitit dhe të gjitha festat tjera do t’i festojmë ashtu siç ka qenë më herët. Të mos grupohemi pasi që ajo është mënyra më efikase që të parandalohet infektimi”, porositi ministri Filipçe.
Ndryshe, në seancën qeveritare të 13 tetorit u miratua informata për nënshkrimin e marrëveshjes për marrjen e obligimit (marrëveshje obligative) mes Qeverisë dhe Aleancës Globale për Vaksina – GAVI ALLIANCE, për furnizimin e vaksinave për KOVID-19 nëpërmjet mekanizmit “Kovaks” për të siguruar qasje globale dhe të barabartë në vaksinat e sigurta dhe efektive kundër COVID-19.
Bëhet fjalë për furnizim të vaksinës e cila do të jetë e mjaftueshme për imunizim të 20% të popullatës nga COVID-19.