Për shkak të pandemisë me Covid-19, shumë shkolla në Maqedoninë e Veriut orët e mësimit duhet t’i mbajnë nëpërmjet internetit. Si rezultat i kësaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përgatiti një platformë përmes së cilës bëhet i mundur mësimi në distancë. Megjithëse, problemi kryesor është se jo çdo fëmijë ka laptop ose internet. Ekipi i CIVIL Media vendosi të bëjë një hulumtim mbi kompjuterët që duhet të kenë studentët në mënyrë që të ndjekin mësimet e tyre në internet pa asnjë pengesë.
E kontaktuam ekspertin e IT-së, Filip Petrovskin, për të zbuluar se cilat performanca duhet t’i ketë një kompjuter për të punuar normalisht programi i Platformës Kombëtare Online, të cilin duhet ta përdorin nxënësit. Sipas tij, laptopi, për shembull, përveç performancave të tjera themelore, do të duhej të kishte të paktën 4 GB ram për t’i përmbushur nevojat minimale të këtij programi.
Me këtë informacion, kërkuam në internet për të parë çmimet e laptopëve me këto performanca. Shitoret që zgjodhëm ishin të katër kompanive kryesore elektronike në vend: Tehnomarket, Neptun, Anhoch dhe Setek.
Në të gjitha këto shitore, çmimi për një laptop me 4 GB ram, si fuqi minimale për të mundur të ndiqet mësimi on-line, shkonte nga 15.000 në pak më shumë se 20.000 denarë. Por, problemi është se kompjuterat brenda këtij diapazoni çmimesh, nuk mund të gjindeshin. Të gjithë ishin shitur. Laptopat që ishin në dispozicion për blerje ishin ata me performanca shumë më të mira. Dhe, gjithsesi, ata vijnë edhe me një çmim shumë më të lartë.
Duke pasur këtë parasysh, vendosëm të shkojmë nëpër shitoret dhe ta shohim se si është gjendja me laptopat. Anhoch kishte çmimin më të ulët për një laptop në dispozicion në shitoren e tyre duke filluar nga 28.980 denarë. Ata gjithashtu na ofruan mundësinë për të marrë një tablet që kushtonte 19.480, por nuk mund të na tregonin se kur do të ishte në dispozicion. Pastaj, shkuam Setek, ku laptopat në dispozicion ishin nga 32.000 denarë e më lart. E përfunduam kërkimin tonë duke vizituar Tehnomarket-in dhe Neptun-in, ku të të vetmit laptopa që kishin në dispozicion në dyqanet e tyre ishin me çmime nga 40.000 e më lart. Është e tepërt të thuhet se këto janë çmime të cilat shumica e qytetarëve nuk mund t’i përballojnë.
Ekziston mundësia e ndjekjes së mësimeve edhe përmes një tableti. Pyetëm edhe për ta. Ajo që zbuluam ishte se çmimi i një tableti me performancat e kërkuara, arrinte çmimin e njëjtë si laptopat, të cilët nuk i kishin në dispozicion. Kështu që, është e kuptueshme pse prindërit do të kenë mëdyshje nëse do të blenin një tablet para një laptopi, i cili për momentin nuk është në dispozicion. Sidoqoftë, kishte vetëm dy në katër shitoret që vizituam të cilat aktualisht kanë tablet me 4 GB RAM. Duket se edhe ata do të shiten së shpejti.
Kur pyesnim se kur do të arrijnë kompjuterat e rinj, përgjigjja që merrnim pothuajse gjithmonë ishte e njëjta, “Nuk e dimë, mbase pas 15 tetorit”. Me vitin shkollor tashmë të filluar, nxënësit që kanë nevojë për një kompjuter, mbeten në një situatë shumë të palakmueshme, duke u lënë atyre vetëm dy mundësi: të blejnë një laptop me çmim të lartë dhe me performanca shumë më të larta sesa u nevojiten, të provojnë që të gjejnë një zgjidhje tjetër (blerja e kompjuterave të përdorur, huazimi etj.), ose, thjesht, të humbasin mësimet derisa të jenë ne gjendje të blejnë një laptop të ri, çmimin e të cilit do të mund ta përballojnë.
Jon Ajdini