Shtabi Qëndror i Bashkimit Demokratik për Integrim mbajti sot pres konferencë për media në lidhje me procesin e votimit të Referendumit, ku vlerësoi se votimi po zhvillohet në mënyrë demokratike në përputhje me normat ndërkombëtare.
Sipas BDI-së sot vendoset historia, prandaj partia bëri apel te të gjithë votuesit pa marrë parasysh bindjet partiake të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që procesi i votimit për Referendumin e sotëm po zhvillohet në mënyrë demokratike, korrekt dhe të qetë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sot vendoset historia, prandaj dhe apelojmë te çdo votues, te çdo familjar, që bashkarisht, pa marrë parasysh bindjen partiake, të ushtrojë të drejtën sovrane të votës”, citon BDI-ja.
BDI-ja në pres konferencë i ftoi të gjithë qytetarët me familjarët e tyre me të drejtë të votës të dalin në votim me qëllim që të mos lejojnë që asnjë votë e vetme të shkojë dëm.
“Njëkohësisht ftojmë të gjitha partitë e tjera, në veçanti partitë politike shqiptare që të ftojnë anëtarësinë e tyre, bashkë me familjet, që të bëhen pjesë e suksesit të përbashkët dhe masovikisht të votojnë sot deri në në orën 19:00. Sot, me votë përcaktohet ardhmëria, paqja, siguria, stabiliteti, zhvillimi ekonomik. Prandaj, dilni dhe votoni që në mbrëmje të festojmë bashkërisht, si evropianë”. (MIA)