Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani duke aluduar në deklaratat e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe korrigjimit të kufijve, tha se Kosova nuk është çështje thjeshtë e një shteti por kolona kryesore e sigurisë kombëtare për shqiptarët.
Nishani në një postim në rrjetin social “Facebook”, siç transmeton Telegrafi, shkruan se Kosova është Jerusalemi i shqiptarëve.
“Kosova nuk është çështje thjeshtë e një shteti por Kolona Kryesore e Sigurisë Kombëtare për shqiptarët. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë apo kudo qofshin ata, anekënd botës. Jo rastësisht, ndër shekuj, kryengritjet për liri të shqiptarëve kanë nisur nga Kosova. Ndaj Kosova është Jerusalemi i shqiptarëve”, shkruan Nishani.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë idenë për korrigjim kufijsh. Ai duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. (MIA)