Gazsjellësi magjistral nëpër Vodno ka leje të rregullt ndërtimore dhe për ndërtimin e tij shteti ka marrë kredi dhe ka nënshkruar marrëveshje me kontraktuesit. Bëhet fjalë për një projekt në mes të implementimit dhe çdo ndryshim do të thotë shtyrje të ndërtimit të gazsjellësit dhe prerje shtesë të pyllit për ngrohje të qytetarëve, vlerësoi sot zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, Angjushev theksoi se shtyrja e ndërtimit të gazsjellësit do të thotë që qytetarët të mos kenë alternativë që edhe më tej të ngrohen me dru ose me resurse të tjera për ngrohje që janë ekologjikisht më pak të volitshme dhe shkaktojnë prishje të mëdha të mjedisit jetësor.
“Mendoj se duhet të sjellim zgjidhje të arsyeshme. Absolutisht i mbështesim organizatat joqeveritare të cilat janë të brengosur për Vodnon dhe jemi në anën e njëjtë me ta. Mendoj se edhe ata do ta njohin këtë moment që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje e cila meriton vëmenjde”, tha Angjushev.
Personalisht, theksoi, së bashku me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare isha në Vodno që t’ju siguroj çfarë është trasa e gazsjellësit dhe çka mund të bëhet që të ketë prishje më të vogla.
“U angazhova së bashku me udhëheqësinë e Resurseve energjetike të Maqedonisë (REM) që trasa të ndryshojë maksimalisht në drejtim që të minimizohet prishja e mjedisit jetësor në Vodno. Me këtë aksion për 50 deri në 60 për qind është zvogëluar prerja e pyjeve në Vodno. Vlerësoj se është bërë përpjekje maksimale që të zvogëlohet çfarëdo prishje e mjedisit jetësor dhe me këtë rast Qeveria do të marrë për obligim për çdo dru të prerë të mbjellë 10 dhe ta anulojë dëmin në mënyrë që të shpallë zona tjera mbrojtëse në atë rajon”, potencoi Angjushev.
Absolutisht jemi të përkushtuar, shtoi, që pas implementimit të projektit për ndërtimin e gazsjellësit situata në periudhë prej dy-tre viteve të jetë më e mirë se ajo që sot e kemi para implementimit të gazsjellësit.