Kryeparlamentari Talat Xhaferri sot qortoi deputetët duke thënë se nuk po ushtrojnë me seriozitet funksionin e tyre dhe nëse planifikojnë të vazhdojnë me këtë sjellje, më mirë të japin dorëheqje për t’i lënë vendin dikujt tjetër. Ky nervozim i kryeparlamentarit Xhaferi, erdhi pasi nuk kishte kuorum të mjaftueshëm për realizimin e seancës plenar edhe pse shumica parlamentare pak kohë më parë u zgjërua.
“ Nuk ka punë më të rëndësishme se kjo, çfardo qoftë që ndodh në komisionet që debatojnë për çështje te caktuara. Le ta ndërpresin aty ku janë dhe të vini në seancë plenare. Sqarojeni nëse nuk doni të vini, tregoni. Keni grupe parlamentare, jepni dorëheqje, do të vijë deputet tjetër që do të dojë të rrijë këtu. Kuptojeni njëher e mirë seriozitetin e punë”
Nga VMRO-DPMNE-ja në sallë ishin të pranishëm vetëm 3-4 deputet, por kjo nuk e pengoi kordinatorin e grupit, Dragan Danev, të akuzojë deputetët e shumicës për papërgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Më në fund është e qartë se bëhet fjalë për qeveri jolegjitime dhe në të vërtetë ky Kuvend duhet të ndalojë së punuari në gjendje të tillë dhe më shumicë të tillë, për të sjellë , në përqindje të lartë do të thoja, politika antishtetërore”- tha Dragan Danev.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, i cili tha se nuk është e drejtë të kritikohen deputetët që janë në udhëtim zyrtarë.
“A është e përgjegjshme që mbi 30 deputet të VMRO-DPMNE-së të qëndrojnë në koridor ose në kafene? Ku është përgjegjësia e tyre ndaj atyre që ju dhanë votën?”- Tomisllav Tuntev, LSDM.
Xhaferi paralajmëroi deputetët se tani e tutje në fillim të seancës nuk do të lexojë vetëm emrat e deputetëtve të pranishëm dhe të atyre që mungojnë, por edhe të atyre deputetëve që figurojnë si të pranishëm, por realisht nuk janë në sallë.
Seanca e 46 plenare një ditë më parë u shty pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit, i cili nuk u sigurua as sot duke detyruar kryesuesin e seancës të kërkojë pushim prej një ore.
Përgatiti: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Burimi: Almakos