Në qoftë se ka pajtueshmëri nga pala tjetër, atëherë do të kemi marrëveshje, thotë zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Janis Amanatidis në intervistë për televizionin grek “Skaj”.
Zëvendësi i Koxiasit, komentoi se pas 11 muajve negociata, pas takimeve të rëndësishme gjatë majit si midis ministrave të Punëve të Jashtme, ashtu edhe midis kryeministrave, tani Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras e vlerësojnë atë që e vendosën shefat e dy diplomacive, ndërsa e përpunuan ekipet teknike dhe juridike nga të dyja palët.
“Marrëveshja duhet të pranohet në mënyrë të ndërsjellë, kjo është rëndësia e marrëveshjes, se është pranuar nga të dyja palët. Konsideroj se marrëveshja që do të vijë, do t’i ketë karakteristika që i vendosi vendi ynë. Emër i përbërë, erga omnes, rishikim të Kushtetutës”, tha Amanatidis, ndërsa lidhur me atë se nëse ekziston emër që mbizotëron për zgjidhje shpjegoi se gjatë negociatave të fundit në Bruksel është biseduar për katër propozimet nga ndërmjetësuesi.
Amanatidis shfaqi shpresë se marrëveshja do të marrë mbështetje të gjerë në Greqi.
“Një marrëveshje me këto karakteristika është në interes kombëtar dhe besoj se do të mbështetet nga shumica edhe në parlament edhe në shoqëri, për shkak se jo vetëm që e zgjidh çështjen në mënyrë të tillë që nuk do të ekzistojnë konflikte, por të gjithë temat janë qartësuar, nuk do të ketë çështje për të cilat do të themi lërini për në të ardhmen dhe për të cilat do të hapej fushë e konflikteve. Do të jetë marrëveshje e qëndrueshme, e kompletuar”, shpjegoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë.
Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, Amanatidis tha se aspekti kishtar i çështjes është epilog posaçërisht i rëndësishëm dhe pozitiv, për shkak se pavarësisht marrëveshjes, zgjidh një problem të pazgjidhur. (MIA)