Quhem Ali, jam 29 vjeçar. Vij nga Kurdistani, regjion në Irak. Braktisa vendim tim para 8 muajsh, kalova përmes Jordanit, pastaj në Turqi, ku mbeta rreth një muaji e 20-të ditë. Kam hasur shumë probleme kur kishte policë, ndonjëherë goditnin njerëzit, por zakonisht nuk prekin familjet, fëmijët, gratë apo personat me aftësi të kufizuara.
Rreth tetë herë u kapa nga policia, katër herë në kufirin turk dhe katër herë në kufirin grek. Burgu nuk ishte burg, ishte më shumë si një hambar për kafshët. Një biskotë dhe një lëng në ditë. Nëse ju japin bukë, është shumë e fortë ose me afat të skaduar. Në kufirin grek kemi hasur të njëjtën gjë. Kur ata na kapën, ata hodhën gjithçka që kishim, të gjitha telefonat u hodhën në ujë. Ka diçka që ndodhi në Greqi, e që nuk do ta harroj kurrë. Ishim 122 njerëz, kaluam ujin dhe kur erdhi policia, të gjithë u larguan. Vetëm 20 vetë u kapën, nga të cilat 4 ishin gra. Komandanti i tha: “Mos na shikoni, kthehuni kah muri”. E dija se ata do të preknin gratë. Kur burri i saj e pyeti gruan se çfarë i kishin bërë “ajo ishte përgjigjur se e kishin goditur në prapanicë dhe ia kishin prekur gjoksin… Një gjë e tmerrshme… Gjithashtu, në kufirin grek, kemi pritur mëse 80 njerëz, të gjithë në një dhomë… nuk mundeshim të ulemi, duhej të qëndrojmë në këmbë… e mbyllën derën dhe e mbajtën të mbyllur 24 orë… Gratë nuk mundeshin të shkojnë në WC, duheshte ta shfrytëzojnë shaminë e tyre për të kryer nevojën… duhej ta bëjnë këtë para policëve dhe të gjithë meshkujve që ishin në dhomë… prandaj të gjitha gratë ose duhej të duronin ose të mbaronin aty nevojën, ose… e dini… andaj e luta komandantin që të na sjellë qumësht, por nuk m’u përgjigj… meqë mirë flisja anglishten, unë isha përkthyes për të gjithë aty… andaj kisha mundësinë të dëshmoja dhe dëgjoja për të gjitha problemet…
Një grua kishte kancer dhe dijabetes, nuk mundej të qëndronte në dhomë përplot me njerëz, dhe kur luta komandantin (ajo ia tregoi tërë dokumentacionin mjekësor), ai tha: “Gënjën. Nuk më intereson për dokumentacionin mjekësor, ndoshta i ka marrë nga ndonjë familjar që është mjek, ose mundet dokumentet janë falso, nuk e kuptoj gjuhën kurde.” Iu betova se saktë i përkthej dokumentet… me të vërtëtë kemi vuajtur në burg, edhe në anën turke, por edhe në atë greke… Më kujtohet një familje, prindërit me tre fëmijë nga Hallabxha, Kurdistani. Kishin florin (rrathë, byluzykë etj.). Komandanti grek ua kontrolloi gjërat dhe ua mori atë. Thanë që do t’ua kthejnë kur t’i lirojnë, por asnjëherë nuk e bënë atë. Floriu ishte e gjitha që posedonte familja, nuk kishin të holla, prandaj kur i liruan, familja kërkoi që të deportohen në vendin e tyre.
Vazhduam në xhungël me një kontrabandist, në Greqi, me 40 njerëz. Ai erdhi dhe na dërgoi në bodrum në Selanik… Që të arrijmë aty, na futën në një makinë të vogël, ishin 5 persona, 3 gra dhe dy fëmijë, të shtypur mezi merrnim frymë… Vetura voziste shumë shpejtë, ishte shumë keq… edhe pas një jave ndjeja dhimbje.
Në bodrum qëndruam 11-të orë, bëmë dush, pastruam veshjet, morëm ushqim, pastaj na blenë bileta. Në ora 3 të mëngjesit shkuam në stacionin hekurudhor në Selanik, e më pastaj në Athinë ku mbetëm 3 muaj duke pritur pasaportë falso. Por më kapi policia dhe më futën në burg.
Nuk kishte mundësi që të vazhdoja rrugën. Ashtu shkova në një ishull. Edhe atje ishte e pamundur që të vazhdoja udhëtimin. Një herë na kapën në kamion dhe na rrahën shumë keq. E kisha fytyrën e përgjakur. Nuk guxoja të dilja gjatë ditës, meqë fytyra më dukej shumë keq. Pas një kohe dola në mbrëmje deri në shitore. Pastaj u ktheva në Athinë, dhe tentova të shkoj përmes Shqipërisë.
Ishim 6 persona me dy kontrabandistë. Na futën në diçka sikur shtëpi pa dritare, pa asgjë… na mbyllën aty. Na thanë që të presim derisa të ngrysej që të hyjmë në Shqipëri. Kur u errësua, tre meshkuj erdhën në dhomë dhe na kërkuan para. Një djalosh, që ishte me ne, nuk kishte të holla, andaj i thanë: “Nëse nuk ke të holla, do të na japësh veshkën”. Menduan që i riu gënjente. Friksoheshin se mos vallë ai kishte thërritur policinë. E dërguan në tjetër dhomë. Kur e kthyen, ishte shumë i friksuar. Na tregoi se e kishin dërguar në tjetër dhomë, e kishin ulur në tavolinë në të cilën kishte patur thikë, gërshërë dhe maskë, dhe gjak në gjitha anët. Pastaj djaloshi tregoi se kishin dëgjuar sirena të policisë dhe të gjithë kishin ikur. Për fat, askujt nuk i kishin marrë organet. Filluam të vrapojmë, nuk dinim kah shkojmë, vetëm vraponim. Takuam një komandant grek dhe ca policë, ishin shumë të sjellshën me neve, na dhanë ushqim dhe ujë, dhe u kthyem në Selanik.
Më pastaj vijoi edhe një tentim, përmes Bulgarisë. Kësaj rradhe ishim 4 meshkuj, dhe një familje me një vajzë 18 vjeçarë, gjithsejt 7-8 perona. Na dërguan në xhungël me veturë, nuk dinim ku jemi. Kurdo që e pyesja kontrabandistin më thonte: “Mos flisni, pssttt…” Pastaj na thanë të vazhdojmë në këmbë. Na lanë në xhungël, ishte shumë ftohtë. Na kapi policia bulgare. Na pyetën: “Pse keni ardhë në vendin tonë? Kjo është toka jonë, jo e juaja. Ju keni tokën tuaj.” Ne heshtnim. Na godisnin me shuplaka dhe grushta. Na kërkuan para, por nuk u dhamë, meqë kishim para vetëm për rrugën e planifikuar. Morën shkop druri dhe na kërcënuan. Pastaj ua dhamë të gjitha të hollat që kishim. Kërkuan para nga familja që ishte me ne. I thanë gruas: “Ti ke para në pantollona, zhvishi ato dhe brekët”. Atëherë gjetën ca euro. Atëherë komandanti u nervozua dhe filloi të bërtasë: “Ju thashë të mos gënjëni, do ta dëmtoj familjen tuaj”. Bashkëshorti i tyre iu bërtiti në gjuhën kurde, që mos të sillen ashtu. Filluan ta godasin. Vajza e tyre filloi të qajë. E zhveshën tërësisht edhe ate, por nuk gjetën para tek ajo. “Nëse ke edhe diçka, na jep. Në të kundërtën do ta dhunojmë gruan dhe vajzën tënde.” I larguan diku 40-të metra prej nesh. Dy gratë bërtisnim, e dinim se i dhunojnë. Kur u kthyen nuk ndalën së qajturi. Pastaj na kthyen në Athinë, dhe familja aspak nuk dilte, kërkuan që nga Athina të deportohen në vendin e tyre. Asnjëherë nuk do ta harroj këtë. Përvoja e keqe do t’i ndjekë këto gra. Meqë për kulturën tonë në Kurdistan, nëse një grua është e dhunuar, askush s’do të martohet me të.
Dhe ashtu, prap u gjeta në Athinë. Doja të kthehem në vendin tim, meqë shumë pashë dhe përjetova. Vëllai im m’u lajmërua duke më thënë: “Vëlla, të lutem vazhdo, nuk të kanë dhunuar, nuk të kanë prekur, asgjë s’të kanë bërë. Ti je burrë, nuk do të mundin të të bëjnë gjë.”
Mbeta rreth një muaji në Athinë, pastaj shkova në Selanik. Shkuam në hotel me 6 persona të tjerë në afërsi të kufirit. Arritëm ta kalojmë kufirin greko-maqedonas, dhe vazhduam maleve. Na futën në një shtëpi ku na kërkuan të holla. Pastaj na dërguan në Preshevë, dhe atje na lanë në xhungël. Pas 300 metrave, e pamë policinë serbe, dhe kërkuan ndihmë nga ata. Ishin të sjellshëm, por na kërkuan dokumente zyrtare. Meqë nuk kishim, na kthyen në kufirin serbo-maqedonas. Jam 7 natë në kampin e Tabanovces, dhe falë Zotit, jam mirë… Sinqerisht maqedonasit janë njerëzit më të mirë që kam njohur…
Gjatë rrugëtimit tim, gjëra më pozitive ishte durimi. Të durosh derisa je pa ushqim apo ujë në xhungël, në netët e ftohta… ajo është përvoja më e mirë, meqë kudo që të shkoj, mund të mbijetoj, mund të eci, të vrapoj, të fshihem, të iki… gjithçka mund të bëj… tani jam një personalitet i fortë, nuk kujdesem për kohën. Edhe në kufirin maqedono-serb, mbetëm të lagur nga bora, ishte nën tetë shkallë ftohtë, por durova…
Me të vertëtë më mungon familja ime, posaçërisht nëna ime. Para se të ikja, ajo më tha: “Biro, nuk më duhen paratë tua, vetëm të lutem qëndro në të sigurtë dhe kthehu para se të vdes.” Andaj shpresoj se një ditë, kur të kthehem në vendin tim, nëna ime akoma të jetë gjallë. Ajo tani është 58 vjeçare. Babai im ishte vrarë nga regjimi i Sadamit në vitin 1991.
Më mungojnë shumë gjëra, vëllai im, shokët, qyteti im… por ika që të shpëtoj. Kam hequr të zitë e ullirit gjatë rrugëtimit, jo për të fituar para, por për ta shpëtuar jetën. Prandaj do doja një jetë normale, sikur njerëzit tjerë…
Rrëfimet janë të mbledhura nga aktivistë të shoqatës Legis, dhe mbështeten nga GIZ në emër të BMZ.
Pikëpamjet e shprehura në këtë rrëfim nuk përputhen domosdoshmërisht me pikëpamjet e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammmenarbeit (GIZ) GmbH.