Klinika për Gjinekologji konfirmoi se nuk ka vdekshmëri te foshnjat e lindura në kohë, por vetëm te ato të lindura para kohe, nga java e 22 deri në javën e 36.
Siç ishte thënë në brifingun e sotëm me gazetarët, qytetarët këtë duhet ta dinë dhe njëherë e përgjithmonë të mposhtet frika, veçanërisht te nënat e reja, se në këtë spital vdesin foshnja.
Sipas drejtoreshës së Klinikës, Viktoria Jovanovska, në tremujorin e parë të vitit kanë vdekur 35 foshnja prej të cilave 10 janë lindur mes javëve 22 dhe 25 ose në muajin e pestë të shtatzënisë së nënës.
“Bëhet fjalë për fryt të papjekur ekstrem për të cilët ekziston dilemë etike nëse në përgjithësi mund të animohen. Organet e tyre (veshkat, mëlçia, sistemi i gjakut, truri), janë të paformuara mirë, ndërsa nuk kanë edhe kurrfarë mbrojtje nga infeksionet”, përmendi Jovanovska.
Sukses me foshnjat e tilla, potencoi, nuk ka asnjë vend në botë.
Primarius dr. Lila Kojiq sqaroi se, sipas përvojave amerikane mbijetesa e foshnjave nga java e 25 e më tutje është 75 për qind, por ato deri në javën e 24 aspak nuk trajtohen, për to as nuk janë pyetur prindërit në lidhje me rianimimin eventual.
“Te ne nuk ka mundësi ligjore për atë, përkatësisht gjithçka që është e gjallë duhet të animohet dhe me të veprohet sikur të jetë fryt i 40 javëve edhe pse foshnjat nën 24 javë nuk kanë kurrfarë aftësie adaptuese për mjedisin e jashtëm, as nuk ekziston inkubator që mund t’i mbajë në jetë”, nënvizoi Kojiq.
Nga viti 1990 deri në nëntor të vitit 2017 në Klinikën e fëmijëve kanë mbijetuar vetëm katër foshnja 25 javëshe dhe sapo kanë hyrë në javën e 26.
Sipas dr. Goran Koçovski, infeksionet janë arsyet më të shpeshta për lindje të parakohshme. Statistika në suaza botërore tregon se rrezik numër një është tensioni i lartë i gjakut, si dhe anomalitë kongjenitale në mitrën e nënës.
Nga Gjinekologjia informojnë se po përgatitet Udhëzim klinik për zbulimin e hershëm të shtatzënisë së rrezikshme, por me udhëzimin nuk do të përfshihen lindjet e parakohshme.
Burimi: MIA