Altman: Merkeli do ta inkurajojë Vuçiqin që seriozisht të vazhdojë me negociatat e Brukselit. – Janjiq: Vuçiq në masë të madhe e ka shpenzuar “kapitalin” te gjermanët
13 prill 2018
Danas – Beograd
Takimi i ri i presidentit serb Alendar Vuçiq dhe kancelares gjermane Angela Merkeltë i paraparë për sot, duhet të interpretohet si përforcim i presionit të Berlinit mbi Beogradin që sa është e mundur më shpejt të arrihet marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, vlerësojnë për “Danas” përfaqësues të qarqeve diplomatike dhe ekspertë për çështje rajonale nga Serbia dhe Gjermania.
Berlini do të vazhdojë të kryejë presion mbi Beogradin lidhur me çështjen e Kosovës dhe është e mundur që Merkeli ta përkujtojë Vuçiqin në disa premtime të papërmbushura. Nga ana tjetër merret përshtypje se Vuçiq nuk është i gatshëm për lëshime të reja, pohojnë bashkëbiseduesit e gazetës.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Universiteti në Bukuresht, Franc-Lotar Altman për “Danas” thotë se nuk pret “zonja Merkel t’i thotë diçka të re zotit Vuçiq, por sërish do ta sqarojë se Gjermania nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Serbisë në BE nëse në fund të negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës nuk arrihet marrëveshje e qëndrueshme për statusin formal të Kosovës”.
“Kjo nënkupton se Merkeli do ta inkurajojë Vuçiqin seriozisht të vazhdojë me negociatat e Brukselit dhe do t’ia transmetojë që t’i bindë përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd të mos flasin dhe të mos sillen në mënyrë që do ta kanoste procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Në të njëjtën kohë Merkeli sërish do ta konfirmojë përkushtimin e Gjermanisë në perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, me theks të veçantë për Serbinë. Ajo me siguri do ta përmendë edhe Samitin e ardhshëm për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Sofje, ku Prishtina duhet të pranohet si pjesëmarrëse me kapacitet të plotë”, konsideron Altman.
Sipas kryetarit të Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq takimi në Berlin do të jetë “shumë i dobishëm para se gjithash, për vetë Vuçiqin, ndërsa shpresoj edhe për Serbinë”.
“Ky është moment kritik sepse situata në masë të madhe është më ndryshe nga ajo në korrik të vitit të kaluar kur Vuçiq e ka inicuar dialogun e brendshëm për Kosovën. Beogradi u largua nga koncepti për normalizim të tërësishëm të marrëdhënieve me Prishtinën, të cilat disa i quajnë edhe “model i të dy Gjermanive” në çka veçanërisht insiston Berlini. Raportet më të reja të përfaqësuesve të autoriteteve serbe, duke e përfshirë edhe shefin e diplomacisë Ivica Daçiq, por edhe vetë Vuçiqin, tregojnë se ekziston hap i madh në raport të politikës së Berlinit. Tema e dytë e cila pa dyshim do të përmendet në mbledhjen Vuçiq-Merkel është edhe siguria, sepse për herë të parë pas dy dekadave përmendet mundësia për luftë në Kosovë, që është e papranueshme për Gjermaninë. Do të thotë kjo është mundësi që Vuçiq dhe Merkel të bisedojnë në mënyrë më serioze. Edhe pse Vuçiq ka kapital të rëndësishëm në marrëdhënie të mira personale dhe partiake me Merkelin, ai kapital në masë të madhe është shpenzuar kohëve të fundit dhe pres pas takimit presidenti serb të kthehet në politikën e hapave të vegjël në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën”, thekson Janjiq për “Danas”.
Të përkujtojmë, ashtu siç shkruante paraprakisht “Danas”, Berlini angazhohet për anëtarësim të Kosovës në KB me statusin e vëzhguesit, në çka Beogradi kundërshton ashpër.
Burimi: MIA