Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias sot në Ohër do të ketë takim me kolegun e tij të Maqedonisë Nikolla Dimitrov, si pjesë e raundit të ri të negociatave për tejkalimin e problemit që Greqia e ka me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë.
Që të dy diplomatët para takimit të nesërm theksuan se presin progres pozitiv në bisedimet, në drejtim të përafrimit të mëtejmë të pozitave, por larg zgjidhjes për të cilat Athina insiston për ndryshime kushtetuese për të cilat Maqedonia konsideron se janë të panevojshme.
“Shpresoj për progres dhe mendoj se sjellja e Greqisë dhe Maqedonisë në lidhje me procesin sinjalizon se procesi është në fazë delikate dhe jemi të fokusuar pikërisht në këto bisedime. Shpresoj se do të na ndihmojë që ky raund po mbahet në Ohër”, deklaroi Dimitrov para takimit me Koxiasin.
Shefi i diplomacisë greke dje në Beograd para se të udhëtojë për në Ohër tha se është bërë një hap përpara në zgjidhjen e kontestit për emrin dhe se për mbylljen e tij nevojitet kompromis.
“Realizëm dhe pragmatizëm është çelësi i zgjidhjes. Nevojitet kompromis, por jo kompromis i kalbur. Të dyja palët duhet ta kuptojnë se nuk mund të fitojnë gjithçka”, tha ai pas takimit me ministrin serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.
Shtrirja për përdorimin e emrit, respektivisht kërkesa greke për erga omens dhe revizion të Kushtetutës të Maqedonisë janë parakushte të domosdoshme që kërkon Athina për arritjen e zgjidhjes. Ndërsa për Shkupin gjuha dhe identiteti janë pika kritike. Këto katër çështje, sipas teksteve të mediave greke nga periudha e kaluar, janë dallimet që ekzistojnë në pozicionet e të dy vendeve në prag të takimit të sotëm në Ohër.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, gazetarët në Greqi, komentojnë se takimi i Dimitrovit dhe Koxias është veçanërisht kritik lidhur me atë nëse do të tejkalohen dallimet dhe do të ketë afrime të qëndrimeve.
Ajo që shpesh në Greqi përmendet si shenjë pozitive është vullneti i vazhdueshëm dhe publikisht i shprehur për zgjidhje nga të dyja palët.
Koxias mbrëmë arriti në Ohër ku pati darkë pune me homologun e tij Dimitrov.
Burimi: MIA