Këshilli i Sigurimit të KB-së mbrëmë tre herë nuk arriti ta miratojë rezolutë për përdorimin e supozuar të armëve kimike në Siri, pas çka SHBA-ja dhe aleatët mendojnë për ndërmarrjen e aksioneve ushtarake.
Rusia vendosi veto për tentimin e SHBA-së që në Këshillin e Sigurimit të KB-së të vendosë hetim të ri për zbulimin e fajtorëve për sulmet kimike në Siri, pas çka pasuan dy propozim-rezoluta ruse, të cilat nuk u votuan.
Rusia e akuzoi SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe se kanë propozuar tekst për miratim, për të cilin kanë ditur se Moska do të vendosë veto, vetëm si arsye që të ndërmarrin aktivitete ushtarake.
Rusia vendosi veto të propozim-rezolutës së SHBA-së, e cila ishte mbështetur nga 12 shtete. Kina ishte e përmbajtur. Draft-rezoluta propozonte formimin e “mekanizmit të ri të pavarur hulumtues të KB-së” për përdorim të armëve kimike në Siri me mandat njëvjeçar. Kjo është vetoja e 12-të e Rusisë për propozim-rezolutën për Sirinë nga fillimi i luftës në vitin 2011.
Ministri britanik i Punëve të Jashtme Boris Xhonson vlerësoi se Rusia e mban popullin sirian peng, pasi nuk e kanë përkrahur propozim-rezolutën e SHBA-së.
“Është shumë zhgënjyese ajo që Rusia e shfrytëzoi veton, ndërsa Kina qëndroi e përmbajtur për propozimin që të hapet hetim i pavarur për sulmet me armë kimike në Siri. Rusia e mban popullin e Sirisë si peng politik me atë që përkrah një regjim, i cili është përgjegjës për së paku katër sulme me armë kimike”, deklaroi Xhonson.
Menjëherë pas kësaj, KS e KB-së e hodhi poshtë propozim-rezolutën ruse për krijimin e mekanizmit për hulumtime për përdorim të armëve kimike në Siri. Teksti rus nuk e mori përkrahjen e nëntë votave të nevojshme, prej gjithsej 15. Propozim-rezoluta ishte përkrahur nga gjashtë shtete, nëntë ishin “kundër”, ndërsa dy të përmbajtur.
Vendet perëndimore e kritikuan mungesën e pavarësisë në mekanizmin e propozuar për hetime. Në tekstin rus u propozua që hetuesit të dorëzojnë raport deri tek Këshilli i Sigurimit të KB-së, i cili më pas do të caktojë kush është përgjegjës për sulmet e tilla.
Ambasadorja e SHBA-së në KB, Niki Hejli deklaroi se draft-rezoluta e propozuar nga Moska nuk parasheh pavarësi dhe objektivitet, sepse Rusisë do t’i mundësohej t’i bllokojë rezultatet e trupit hetues.
Pastaj edhe Suefia parashtroi propozim-rezolutë, të plotësuar me kërkesa të Rusisë. Teksti mori mbështetje nga pesë shtete, midis të cilave Rusia dhe Suedia, pesë ishin “kundër” – duke e përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ndërsa gjashtë janë të përmbajtur.
Që të mund projekt-rezoluta të miratohet nga KS-ja e KB-së, ajo duhet të marrë të paktën nëntë vota dhe të mos vendoset në veto nga ana e anëtareve të përhershme – Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Veto mund të vendoset madje edhe nëse teksti mbështetet nga të paktën nëntë anëtare.
Organizata për ndalesë të armës kimike (OPCV) dje kumtoi se do të dërgojë hetues të saj në Duma, ku aktivistët opozitarë thonë se dhjetëra persona e humbën jetën në sulmin kimik më 7 prill. OPCV mund vetëm të konfirmojë ose të mohojë përdorimin e armës kimike, por jo edhe t’i theksojë autorët, përkujton AFP.
Në ndërkohë, presidenti amerikan Donald Tramp e anuloi vizitën në Amerikën latine që të fokusohet në përgjigjen e Uashingtonit për sulmet gjoja kimike në Siri. Ai potencoi se përgjigja do të vijojë së shpejti. Tramp ka pasur edhe bisedë telefonike me kryeministren britanike Tereza Mej për veprimet e mëtutjeshme ushtarake në Siri.
“Sulmi i kryer në Duma, është barbar. Është e dukshme se urgjentisht punojmë më aleatët dhe partnerët tanë që të vlerësohet çka po ndodh në terren”, tha ajo.
Presidenti francez Emanuel Makron deklaroi se do të koordinohet me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe dhe për disa ditë do ta kumtojë vendimin për marrjen e aksionit ushtarak në Siri. Makron, paraprakisht në disa raste potencoi se përdorimi i armës kimike është “vija e kuqe” e cila sjell pasoja serioze.
Siria në vitin 2013 u pajtua të heq dorë nga arma e saj kimie, pasi qindra njerëz e humbën jetën në sulmin me gazin helmues në tragjedinë në Damask, ku gjendeshin kryengritësit. Prej atë herë në disa raste ka ekzistuar dyshim se pushteti sirian kryen sulme kimike në rajone nën kontrollin e kryengritësve.
Burimi: MIA