Deputetët e Listës Serbe të kryesuar nga kryetarin Goran Rakiq mëngjesin e sotëm kanë arritur në Beograd.
Sipas njërit nga deputetët anonimë të kësaj Liste ata janë nisur për në kryeqytetin serb për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë për KosovaPress se po shkojnë në Serbi për t’u konsultuar për hapat e mëtutjeshëm pas ngjarjes së djeshme ku Policia e Kosovës ka arrestuar shefin e zyrës për Kosovën Marko Gjuriq.
Bisedimet me presidentin e Serbisë do të bëhen për të vendosur nëse do të jenë edhe më tej në Qeverinë Haradinaj.
Kryetari i Listës Goran Rakiq ka thënë për mediat serbe se pas takimit me presidentin e Serbisë do të marrin vendim. Dje kryetari i Listës Goran Rakiq pas arrestimit të Gjuriqit ka thënë se janë duke menduar opsionin e daljes nga Qeveria.
Situata në veri të Mitrovicës, në mëngjesin e sotëm duket e qetë, por ndiehet një lloj zemërimi për arrestimin e Marko Gjuriqit dje nga Policia e Kosovës.
Ky zemërim u shfaq edhe me vënien e barrikadës në vendin e quajtur Rudare, duke shkaktuar kështu, bllokimin e magjistrales Prishtinë-Rashkë.
Në rrugë ndodhen dy kamionë, duke bllokuar kalimin e rrugës dhe për të shkuar në pjesë veriore të vendit duhet shfrytëzuar rrugët alternative.
Ndërkaq në hyrje të kufirit në Jarinje ndodhen edhe 50 kamionë, që presin për të hyrë në Kosovë, njoftojnë mediet serbe.
Në aksionin e mbrëmshëm të policisë në Mitrovicë, janë lënduar 32 persona, nga të cilët pesë më të rëndë, mes të cilëve edhe ministri i bujqësisë, Nenad Rikallo. Mes të lënduarve ka edhe përfaqësues të mediave.
Ambasadori amerikan në Beograd, Kajli Skot, deklaroi sonte se zhvillimet e sotme në Mitrovicë paraqesin një hap të madh mbrapa.
“Shpresoj se kokat e ftohta do të mundësojnë qetësimin e situatës. Nuk ka alternativë për dialogun dhe bashkëjetesën e qetë të të gjithë popujve në Ballkan”, shkruan diplomati amerikan në Tuiter.
U prononcua edhe Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Çepurin, i cili vlerësoi se arrestimi i Marko Gjuriqit, paraqet “provokim të ashpër të Prishtinës zyrtare”.
“Ne jemi të indinjuar me provokimin e ashpër të Prishtinës. Jemi plotësisht solidarë me Marko Gjuriqin dhe Serbinë”, shkruan diplomati rus në Tuiter.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.
“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Mitrovicën e Veriut.
Veseli ka thënë se shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë.
“Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Fejsbuk.
“Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë”, ka thënë Veseli.
“Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt. Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare”, është shprehur ai. Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm”, ka deklaruar Veseli.
Ngjarjet e djeshme në Kosovë, përkujtojnë në incidentin e janarit të vitit 2017 me “tren rus”, të cilit nuk iu lejua hyrja në Kosovë.
Burimi: MIA