Lulzim Haziri, drejtori ekzekutues i organizatës joqeveritare ADI, në bisedë për CIVIL Media flet për lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe aktivizmin.
CIVIL Media: Çfarë paraqesin për ju liritë e mediave, liria e shprehjes dhe në këtë kuptim edhe aktivizmi?
Haziri: Mediumet janë një bazë themelore për demokracinë e vendeve aq më tepër për demokracinë e shteteve që një kohë të gjatë kanë qenë në një regjim me media të kontrolluara. Andaj si një shoqëri që tentojmë të jemi demokratike duhet t’i japim rëndësi më të madhe lirisë së mediave sepse me media të lira do të kemi edhe qytetarë më të informuar me këtë edhe qytetarë që do të dinë për të drejtat e tyre, cilat janë ato të drejtat dhe sa mund t’i gëzojnë. Gjithashtu media të lira nënkuptojnë edhe informim të lirë dhe të mirë të qytetarëve, jetojmë në një kohë kur “fake news” që i quajmë lajme të rrejshme janë tepër të përhapura për qëllime të ndryshme dhe media të lira dhe profesionale sigurisht që japin kontribut të dukshëm në këtë drejtim. Mendoj në drejtim të informimit më të mirë dhe më të drejtë të qytetarëve.
CIVIL Media: Në çfarë mënyre kontriboni dhe mund të kontriboni në luftën për media të lira dhe luftën për shprehje të lirë?
Haziri: Si organizatë e cila merret me drejtat e njeriut e gjithë kjo lidhet edhe me të drejtat e fjalës së lirë dhe mediave të lira zakonisht ne aktivitet tona i përfshijmë edhe mediat qoftë edhe si partner qoftë edhe si përkrahës të aktiviteteve tona e gjithë me qëllim që ajo që është synimi ynë për të arritur që të drejtat e njeriut të jenë më të përhapura në shoqëri, të njëjtat të përfshinë edhe mediat si pjesë përbërëse e aktiviteteve tona të përditshme. Mediat i kemi partner më të besueshëm, dhe më të sigurtë në drejtim të përhapjes së qëllimeve tona në shoqëri.
CIVIL Media: A deri tani jeni ballafaquar me presione nga qendra politike dhe afariste të fuqisë dhe s’i ballafaqoheni me të njejtat?
Haziri: Asociacioni për iniciativa demokratike ishte një kohë të gjatë në një presion të vazhdueshëm nga qarqe të ndryshme politike këtu në Maqedoni, keni parasysh periudhën turbulente të vitit 2016-2017 me çrast lakohej emri i organizatës tonë atë që ishte demonizimi i shoqërisë civile, desorosoizimi i shoqërisë civile, kështu që e shikonin veten në lista të shumta që këto qarqe i përhapnin në opinion i dërgonin në Amerikë i dërgonin tek donatorët që përkrahin iniciativën tonë por nuk i dhamë rëndësi të madhe aq më tepër i injoruam plotësisht këto sulme që na vinin si organizatë aq më tepër i bënim ballë si organizatë e cila i jep rëndësi qeverisjes së mirë brenda organizatës, i jep rëndësi transparencës në punën e saj dhe kështu që atë e kishim adutin më të fortë dhe më këto vlera ishim më të sigurtë në punën tonë.
CIVIL Media: Cilat janë rekomandimet tuaja në kontekst të çlirimit të mediave dhe shprehjes së lirë?
Haziri: Mediat e lira dhe shprehja e lirë duhet të jenë synim i vazhdueshëm jo synim i një ndryshimi të qeverisë, qeverive të pushteteve, por duhet të jetë vazhdimisht në fokus të veprimit të organeve shtetërore do të kisha thënë mbi gjitha. Me këtë dua të them që gjithë ato aktivistë që janë, që merren me media të lira duhet të jenë më aktiv më përfshirës në drejtim të sjelljes së legjislaturës e cila siguron media të lira dhe shprehje të lirë. Përkatësisht jam i mendimit që në çdo ligj, propozim ligj, që përgatitet në drejtim të krijimit të një ambienti më demokratik me mediat, në të njëjtë të jenë aktivistë të përfshirë edhe në organizatat që merren me mediat.
Ky projekt është i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit për grante të vogla “ Mbrojtja e lirisë së mediave dhe liria e shprehjes në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Shoqata e gazetarëve Kroatë, si pjesë e projektit rajonal “Platforma rajonale e Ballkanit perëndimor për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve”, i zbatuar përmes partneritetit të gjashtë shoqatave të gazetarëve të pavarur të Serbisë, Shoqata e gazetarëve nga Bosnja dhe Hercegovina, Shoqata e gazetarëve të Kroacisë, Shoqata e gazetarëve të Kosovës, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, dhe Sindikata e mediave të Malit të Zi.
Maja Ivanovska
kamera: Atanas Petrovski
fotografi: Vullnet Mahmuti