DPA – Hamburg
Zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen të dielën në Kubë nuk ngjasojnë me asnjë palë zgjedhje në rajon. Nuk ka spote publicitare. Nuk ka mitingje parazgjedhore. Nuk ka kandidatë me slogane partiake pasi që të gjithë ose janë anëtarë të Partisë Komuniste kubaneze ose janë kandidatë “të pavarur” të cilët e respektojnë linjën partiake.
Shenja e vetme e jashtme për zgjedhjet e ardhshme janë fotografitë dhe biografitë e kandidatëve të publikuara në vende publike. Vetë kandidatët në mënyrë të qetë vizitojnë kuarte dhe kompani që të kontaktojnë me njerëzit.
Edhe krahas asaj që zgjedhjet kubaneze kalojnë pa ndonjë zhurmë të madhe, aktivitetin zgjedhor – disa këtë ia lënë presionit qeveritar – ndryshon rreth 95 për qind dhe mbi 95 për qind. Mbi tetë milionë kubanezë duhet të zgjedhin 605 anëtarë të Kuvendit Kombëtar dhe 1.265 delegatë në 15 kuvende provinciale.
Interesimi për zgjedhjet është më i madh se zakonisht pasi që Parlamenti i ri duhet të konstituohet më 19 prill dhe të zgjidhet trashëgimtari i presidentit 86-vjeçar Raul Kastro. Pritet presidenti i ri të jetë i pari i cili nuk është anëtar i familjes Kastro pas Revolucionit në vitin 1959, kur Fidel, vëllai më i madh i Raulit, e ndërmori pushtetin.
“Është me të vërtetë interesante të shohim se kush do të jetë presidenti i ri”, deklaroi Ernesto Balan, drejtues i taksisë në Havanë. “Gjithmonë kemi pasur liderë me individualitet dhe prezencë të fuqishme, por akoma nuk e njohim të riun”, shtoi ai.
Raul Kastro e ndërmori përkohësisht pushtetin, kur në vitin 2006 u përkeqësua shëndeti i vëllait të tij, ndërsa më pas në vitin 2008 zyrtarisht u bë president. Fidel ndërroi jetë tetë vite më vonë në moshën 90-vjeçare.
Vitin e kaluar Raul Kastro publikoi se nuk do të kandidohet për mandatin e tretë në funksion. Mbizotërojnë pritjet trashëgimtar i tij të bëhet nënpresidenti aktual Migel Dias-Kanel, inxhinier i cili ka qenë Ministër i Arsimit.
“Askush nuk ka thënë se ai do të jetë presidenti i ardhshëm, por ne mendojmë kësisoj pasi që Raul i ka dhënë rol shumë të rëndësishëm viteve të kaluara”, deklaroi pensionistja e cila priste në radhën e gjatë para një farmacie në Havanë dhe u lut të mbetet anonime.
Edhe krahas asaj që i takon gjeneratës postrevolucionare Dias – Kanel vështirë se do të vendos liri të reja të mëdha dhe reforma. Përveç se është i njohur si ithtar i vazhdimësisë, ai me siguri do të kufizohet edhe nga prania e Kastros, i cili do të jetë në krye të partisë për të paktën deri në Kongresin e ardhshëm të saj, deri në vitin 2021.
Kastro gjithashtu është kandidat për një pozitë në Parlament dhe pritet të vazhdojë të disponojë me ndikim ndaj armatës. Qeveria e tij vendosi reforma ekonomike të cilat më shumë personave u lejuan të fillojnë biznes të vogël, por kufizimet rigoroze ndaj sipërmarrësisë private mbeten në fuqi.
Mendimi i ndryshëm është kufizuar deri në atë masë që disa kubanezë bisedojnë për politikën me të huaj vetëm në ndonjë park i cili është larg syve të personave të tjerë. Por, shumë kubanezë thonë se janë falënderues për arritjen e Revolucionit, siç janë arsimi falas dhe shëndetësia si dhe shpenzimet e ulëta për vendbanimet.
Havana është vend i sigurt ku të pastrehët dhe lypsarët janë të rrallë. Ekonomia është ripërtërirë pas recesionit në vitin 2016. Rritja për vitin 2017 është 1,6 dhe i referohet kryesisht bujqësisë dhe turizmit. Por, jeta mbetet e vështirë për shumë kubanezë të cilët kanë paga të ulëta dhe vështirë gjejnë produkte ushqimore dhe mallra të tjera kryesore të cilat mund të zhduken nga tregu për shkak të deficitit në prodhimtari. Burimet kryesore të të ardhurave në Kubë janë paratë të cilat i dërgojnë emigrantët kubanezë numri i së cilëve do të jetë qindra mijë në SHBA, Meksikë dhe Spanjë.
“Aktiviteti i lartë zgjedhor sikur nuk është reflektim i drejtpërdrejtë i interesit të madh për politikë”, thotë një gazetar lokal, i cili i hedh poshtë qëndrimet e disa disidentëve se njerëzit ndjehen të detyruar të votojnë. “Kubanezët votojnë për diçka si ndjenjë e borxhit dhe për ta mbështetur Qeverinë rënia e së cilës sipas tyre, do t’ua përkeqësonte problemet”, thotë gazetari.
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp i përforcoi kufizimet për biznes dhe udhëtime në Kubë, pasi marrëdhëniet u përmirësuan gjatë Barak Obamës. Uashingtoni insiston për atë se në ishullin qipriot duhet të vendosen demokraci më shumëpartiake dhe kapitalizëm.
Propozimet e tilla shkaktojnë një entuziazëm të vogël për shkak të druajtjeve të kubanezëve se do t’i humbin përfitimet sociale dhe do të bëhen burim i eksploatimit ekonomik nga SHBA-ja. Kuba nuk do të bëjë lëshime prej sovranitetit të tij e as të negociojë për parimet e veta”, tha Dias – Kanel.
“Është një gjeneratë e cila dha gjithçka për Revolucionin”, deklaroi studenti Josvian Sançes i cili ka ardhur në qendrën kulturore që të shfrytëzojë internetin. “Tani është radha për më të rinjtë. Mund të bëjmë gabime por duhet të na jepet mundësia”, shtoi ai.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.