“Partitë politike deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor kanë dërguar 103 ankesa për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale”, informoi për META zëdhënësja e KSHZ, Ljupka Guguçevska.
Më së shumti ankesa ka dërguar Besa – 89. Aleanca për Shqiptarët ka dërguar 13 ankesa dhe një ankesë ka dërguar LPM.
KSHZ ka afat prej 48 orëve që t’u përgjigjet ankesave.
“Ankesat duhet të përpunohen, e pastaj KSHZ të caktoj seancë ku do të shqyrtohen dhe anëtarët e komisionit të vendosin për ato”, thotë Guguçevska.
Emat Mehmeti nga Besa, gjatë dërgimit të ankesave, thotë se ka pasur numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme dhe parregullsi të ndryshme.
“Gjithkund u pa se nuk kishim zgjedhje, por vjedhje. Për shkak të numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, kemi dyshime serioze që manipulimi është bërë pikërisht me këto fletëvotime. Për këtë arsye, numri më i madh i ankesave ka të bëjë me këtë çështje. Ftojmë edhe bashkësinë ndërkombëtare që t’i dëgjoj këto ankesa, pasi që nuk do të lejojmë që e drejta jonë të shkelet. Ne nuk dëshirojmë që të drejtën tonë ta kërkojmë në rrugë”, tha Mehmeti.
Pas vendimit të KSHZ, partitë politike kanë afat prej 24 orëve të ngrenë padi deri te Gjykata Administrative, e cila njëjtë, pas 48 orëve duhet që të sjell vendim.
Burim: META
Përmbajtjet të cilat CIVIL i merr nga burime të tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.