“Autobus të demoluar në Bit Pazar ku janë vozitur “Komitët”, “Shvercerët i kanë gurëzuar Komitët”, “Erdhi jeta, dhe shqiptarët filluan t’i rrahin maqedonasit mes Bit Pazarit”, “Votoni përsëri për jetë”…, këto ishin pjesë nga titujt e portaleve të caktuara dhe komenteve në rrjete sociale, për rrahjen e mbrëmshme që ndodhi në Bit Pazar, ku ishin të lënduar tre persona, të cilët me automjet të ndihmës së shpejtë ishin të dërguar në qendrën urgjente.
Grupi i tifozëve “Komitët” pas përleshjes mes tyre në tribunën e perëndimit gjatë ndeshjes mes Vardarit dhe Real Sosiedadit, e cila luhej në kuadër të Kupës së UEFA, (në ndërkohë ndeshja nuk ishte ndaluar e as policia nuk ka intervenuar që t’i ndaj), përleshjen e vazhduan në autobusin e NTP me numër 50, por kësaj radhe kanë rrahur qytetarë të rëndomtë.
“Në polici është lajmëruar se në stacionin e autobusëve, tek 26 korriku, gjegjësisht në Bit Pazar, në katin e dytë të autobusit disa njerëz janë rrahur, që më pas përleshja të vazhdoj edhe në katin e poshtëm të autobusit. Një nga personat të përfshirë në përleshje, ka kapur timonin e vozitësit dhe ka shkaktuar ndeshje, gjegjësisht autobusi ka goditur autobusin privat me numër 20”, thuhet në kumtesën e MPB.
“Pas hapjes se dyerve të autobusit, përleshja ka vazhduar në stacionin e autobusëve, por pas arritjes së policisë, rrahësit janë shpërndarë në drejtime të ndryshme. Policia ka arrestuar një person, ndërsa do të merren masa që në tërësi të zbardhet rasti dhe identifikimi i gjithë pjesëmarrësve në këtë dhunë”, thonë nga MPB.
Megjithatë, mbetet e hapur pyetja se kujt i konvenon që në këtë periudhë të ketë incidente? Gjatë viteve të kaluara ishim dëshmitarë që çdoherë para zgjedhjeve janë shfrytëzuar të rinjtë, posaçërisht grupet e tifozëve që të shkaktojnë trazira dhe përleshje në autobusë, rrugë, shkolla… Në këtë formë pushteti i kaluar ka luajtur me kartën nacionale dhe krijonte pasqyrim të rrejshëm kinse ekziston mostolerancë ndëretnike. Këto ditë janë arrestuar disa persona të cilët ishin pjesëmarrës në incidentin e 27 prillit në Parlament, të arrestuar janë edhe shefat e UBK për të cilët policia kishte lëshuar fletë-arrest… A do të lejojnë institucionet që të ketë trazira dhe të vdesin të rinj, vetëm që të kahëzohet fokusi dhe vëmendja nga problemet e vërtetë…?
Dehran Muratov