Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe Bilall Kasami nga Lëvizja Besa, njoftuan për bashkëpunimin ndërmjet dy partive në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Liderët konsiderojnë se rezultati i arritur në rrethin e parë, diktonte bashkëpunimin e dy partive në rrethin e dytë, që duhet të mbahet më 29 tetor të vitit 2017.
“Këto janë zgjedhje lokale dhe rezultatet nga rrethi i parë diktojnë bisedime për rrethin e dytë. Qytetarët e thanë fjalën e tyre më 15 tetor dhe kuptohet, veprimet tona politike do të bazohen në mesazhin që e dha populli në rrethin e parë. Nuk ka logjik të them se do të kemi bashkëpunim me BDI. Qytetarët më 15 tetor treguan se më kë duhet të bëjmë koalicion”, deklaroi Zijadin Sela, nga Aleanca për Shqiptarët.
“Unë sot do të bisedoj me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selën, me qëllim që t’i fillojmë bisedimet dhe t’i konkretizojmë mundësitë e bashkëpunimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve në të gjitha komunat ku do të paraqitemi, që të përmirësojmë rezultatin zgjedhor”, deklaroi mbrëmë Bilall Kasami, nga Lëvizja Besa.
Kasami deklaratën e dha pas takimit të djeshëm me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili morri pjesë në Samitin e 100 në Shkup. Rama kishte takim me liderin e BDI, Ali Ahmeti, me Zijadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët, me kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi dhe me liderin e OBRM-PDUKM, Nikolla Gruevski.
D.M.