Kandidati për kryetar të komunës Kisella Vodë, deputeti aktual Johan Tarçullovski, sot, një ditë para heshtjes zgjedhore duhet të paraqitet para gjykatës Themelore Shkupi 2, në bisedim për dëmin e shkaktuar prej 61.020.000 denarë ose një milion euro, kumton sudstvo.mk.
Në seancën e caktuar duhet të bisedohet për kompensim të dëmit material dhe jomaterial prej një milion eurove, aq sa kërkojnë familjarët e të ndjerëve në fshatin Ljuboten të Shkupit, gjatë vitit 2001. Lënda e cila i referohet Johan Tarçullovskit, tash është regjistruar me numrin 32 П 4- 449/ 17.
Paditësit me kërkesë të veçantë kërkojnë që padia tashmë e adresuar në MPB të zgjerohet edhe për Tarçullovskin, pasi që me aktgjykimin e Gjykatës së Hagës, ai ishte gjykuar për krime lufte ndaj popullatës civile.
Procedura gjyqësore e cila zhvillohet kundër Tarçullovskit, sipas Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ), nuk paraqet pengesë që ai të merr çertifikat si i pa dënuar dhe ti jepet mundësia që të kandidohet në këto zgjedhje lokale.
Sipas njohësve të këtyre rasteve, kërkesa për kompensim të dëmit material dhe jo -material prej një milion eurove, për të cilën zhvillohet procedurë para gjykatës Civile, nënkupton regjistrimin e pashmangshëm të aktgjykimit të sjellur në Hag, në gjykatën Penale, ku prej atje i kanë dhënë çertifikatën si i pa dënuarit.
Tarçullovski në burgun e Sheveningenut është futur më 16 mars të vitit 2005, me kërkesë të tribunalit të Hagës. Këshilli gjyqësor me 12 korrik të vitit 2008 e liroj ish ministrin Ljube Boshkovskin nga akuza për kryerje të krimit në fshatin Ljuboten të Shkupit, megjithatë, Johan Tarçullovski ishte gjykuar me dënim me burg prej 12 viteve.
Incidenti i fundit që lidhet me Tarçullovskin është ngjarja e 27 prillit të këtij viti, ku ai me disa deputetë tjerë nga partia opozitare OBRM-PDUKM, i hapën dyert e Parlamentit dhe me atë mundësuar që masa e protestuesve të ballafaqohen me kandidatët e shumicës qeveritare. Deri tani, asnjë prej kandidatëve të cilët shihen në incizimet se si i hapin dyert, nuk është marrë në pyetje.